Maqedoni

Propozim-buxheti për vitin 2025, refuzohen amendamentet e LSDM-së dhe “Së Majtës”

25.11.2024 16:29

Në debatin mbi amendamentet e propozim-buxhetit për vitin 2025 nuk u pranuan dhjetë amendamente...

Në debatin mbi amendamentet e propozim-buxhetit për vitin 2025 nuk u pranuan dhjetë amendamente nga deputetët e LSDM-së dhe partisë “E Majta”. Me amendamentet e LSDM-së u kërkua të ndahen mjete për subvencionimin e sistemeve fotovoltaike për kulmet e amvisërive, për subvencione për kompanitë e transportit, që do të zëvendësojnë veturat me vetura elektrike.
 
“Kjo përkrahje ka të bëjë me një tranzicion të gjelbër të përforcuar dhe ka për qëllim të ulë emetimin e gazrave të dëmshëm, të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe të ulë pjesëmarrjen e burimeve të ripërtërishme të energjisë në sektorin e transportit. Kjo do të mundësojë ambient më të pastër, duke i ulur shpenzimet  operative dhe rritjen e konkurrencës vetanake.”, - theksoi Mitko Trajçulevski nga LSDM. 
 
Me amendamentet e dorëzuara të cilat nuk u pranuan deputetët e “Së Majtës” kërkuan që mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes të destinuara për NATO-n dhe nga Ministria e Transportit të destinuara për projektin “Behtel dhe Enka” të kalojnë për ndërtimin e Çebrenit dhe Galishtes, si dhe të ndahen mjete për rindërtimin dhe zgjerimin e sistemit kolektor të liqenit të Ohrit dhe për monitorimin dhe kontrollin e liqenit të Dojranit.
 
“Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nga të hollat për “Behtel dhe Enka”, që është një ndër projektet më kriminele në histori, projekt të cilin VMRO-DPMNE-ja tha se do ta shfuqizojë dhe duhet të ndërpritet. Nga ato të holla propozoj të alokojmë 90 milionë euro deri te Ministria e Energjetikës për ndërtimin e Çebrenit dhe Galishtes dhe të arrijmë pavarësinë energjetike dhe shohim se në këtë buxhet nuk kemi paraparë mjete për fillimin e këtij projekti kapital.”, - u shpreh Borisllav Kërmov nga “E Majta”. 
 
Nga VLEN-i i anuluan disa amendamente të propozuara. Nga “Fronti Evropian” potencuan se buxheti duhet të jetë në dispozicion për të gjithë qytetarët dhe se po sabotohet pushteti lokal që nuk është pjesë e shumicës parlamentare. 
 
“Edhe njëherë ju kisha lutur të rishqyrtoni, nëse jo ju në emër të kësaj Qeverie pa legjitimet, së paku deputetët e mazhorancës, që të mbështesin këtë amendament apo atë të radhës, sepse ua them shumë hapur, i kemi bërë në konsultim me kryetarë të komunave dhe këshilltar komunal.”, - theksoi Blerim Bexheti nga BDI.
 
Diskutimi për amendamentet filloi më 19 nëntor dhe duhet të përfundojë më së voni deri më 30 nëntor. Janë dorëzuar gjithsej 307 amendamente, prej të cilave 204 janë dorëzuar nga LSDM-ja opozitare.
 
FLUTURA LATIFI