Maqedoni

Kongresi i LSDM-së, Mickoski: S’jam i impresionuar, opozitë jokonstruktive

25.11.2024 16:43

Kryeministri Hristijan Mickoski, me kritika ndaj përbërjes së re të instancave më të larta partiake të LSDM-së....

Kryeministri Hristijan Mickoski, me kritika ndaj përbërjes së re të instancave më të larta partiake të LSDM-së. Ai thotë se edhe emërimet e reja në bordin qendror dhe ekzekutiv nuk flasin për një opozitë konstruktive dhe kjo sipas kryeministrit do të dëshmohet edhe në zgjedhjet lokale.
 
“Nuk jam i impresionuar nga kjo udhëheqësi, përkundrazi jam i dëshpëruar, pasi që vlerësoj se këta njerëz nuk mund të jenë opozitë konstruktive dhe një vlerë e shtuar e skenës politike tek ne. Ata do të vazhdojnë me ato shpikje, pasione të ulëta, ofendime ditore politike dhe kjo është e tëra. Dhe shumë shpejt nga tani do të ketë test për udhëheqësinë e re të LSDM-së, janë zgjedhjet lokale, pas dhjetë muajve do të kemi fushatë dhe do të shohim nëse kjo udhëheqësi e re do të ofrojë diçka të re ose jo.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Zgjodhëm njerëz të respektuar
 
Kanë reaguar nga LSDM-ja duke thënë se kongresi i djeshëm përplot entuziazëm dhe energji të re ka shqetësuar kryeministrin, Mickoski. Por, sipas kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, janë bërë zgjedhjet e duhura të partisë që do të sjellin rezultate.
 
“Partia dëshmoi se po ngrihet pas humbjes, ndërkaq kongresi i djeshëm paraqet kthesë në veprimin e opozitës. Në radhët tona vendosëm energji të re.”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
LSDM-ja dje përzgjodhi përbërjen e re të bordit qendror, ndërkaq Fani Karafinllova Panovska u emërua zëvendëskryetare e partisë. Në bordin qendror dhe mbikëqyrës hynë ish-kryetari i Butelit, Velimir Smilevski; ish-drejtori i burgut të Shutkës, Filip Andov; ish-deputeti, Martin Kostovski; ish-ministrja e Drejtësisë, Viktorija Madiq Avramovska dhe ish-drejtori i Inspektoratit të Tregut, Goran Trajkovski. Takimi i parë i përbërjes së re i bordeve partiake do të zhvillohet gjatë javës, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të bordit ekzekutiv, nënkryetarët dhe sekretarët e partisë.
 
MERAL ISMAILI