Botë

Në Parlamentin e Serbisë, përplasje fizike mes deputetëve

25.11.2024 17:07

Në Parlamentin e Serbisë ka pasur një konfrontim fizik mes deputetëve...

Në Parlamentin e Serbisë ka pasur një konfrontim fizik mes deputetëve, pasi ata të opozitës fillimisht kanë ngritur pankarta pas miratimit të rendit të ditës, e më pas kanë tentuar fizikisht të pengojnë fillimin e diskutimit kur kanë ardhur anëtarët e Qeverisë. 
 
Sipas mediave të ndërkombëtare, përfaqësuesit e mazhorancës qeverisëse të Aleksandar Vuçiqit qëndruan në një lloj muri të gjallë rreth podiumit. Dhe deputetët e opozitës u bërtitën atyre “Vrasës, vrasës!”, duke iu referuar katastrofës në Novi Sad, ku 15 persona vdiqën në rënien e kulmit në stacionin e rindërtuar, gjë që çoi në një sërë protestash në Serbi. Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ka thirrur sigurimin për të hyrë në sallë, e cila ka tentuar të qetësojë deputetët. Siç raportohet më tej, një incident ndodhi gjithashtu edhe në galerinë e sallës së Kuvendit, ku siguria e Parlamentit ndërhyri po ashtu.