Botë
ShBA: Armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit është afër
26.11.2024 12:05
Departamenti i Shtetit të ShBA-së njoftoi se janë afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit, por që ende nuk është finalizuar...

Departamenti i Shtetit të ShBA-së njoftoi se janë afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit, por që ende nuk është finalizuar.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller, në një konferencë për media tha se "Ne nuk mendojmë se kemi arritur marrëveshje, por besojmë se jemi afër një armëpushimi.". Ai theksoi se ka "më shumë hapa për t'u ndërmarrë" për një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Milleri mbrojti edhe qëndrimin për urdhërarrestet e lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale kundër zyrtarëve izraelitë dhe rusë. Ai pretendon se nuk ka "asnjë ekuivalencë" midis urdhrit të arrestit të GjNP-së për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Joav Gallant dhe urdhrit të arrestit të lëshuar për presidentin rus, Vladimir Putin, në vitin 2023. Milleri thotë se Izraeli ndryshe nga Rusia "ka demokraci dhe gjykata që funksionojnë në mënyrë të pavarur".
Në vendimin e saj të shpallur më 21 nëntor, GjNP-ja njoftoi se kishte lëshuar urdhërarrest për kryeministrin izraelit Netanjahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Gallant "për shkak të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në Gazë”.
