Maqedoni
BE-ja dhuron 6 autobusë ekologjikë, Rokas: Ta bëjmë transportin publik më pak ndotës
26.11.2024 13:58
Gjashtë autobusë ekologjikë tani më janë pjesë e Ndërmarrjes Publike të Transportit “Shkup”...

Gjashtë autobusë ekologjikë tani më janë pjesë e Ndërmarrjes Publike të Transportit “Shkup”. Autobusët janë donacion nga Bashkimi Evropian përmes projektit “BE për ajër të pastër”. Në kuadër të projektit, përveç Shkupit, janë përfshirë edhe Manastiri, Kumanova dhe Tetova, përkatësisht qytetet që po përballen me ndotje të lartë të ajrit.
“Transporti është shkaku i sasisë së madhe të emetimeve të dioksidit të karbonit që ne lëshojmë në atmosferë. Në këtë mënyrë u mundësojmë qytetarëve që në vend të automjeteve individuale të përdorin transportin publik. Duhet ta bëjmë transportin publik sa më pak ndotës.”, - deklaroi ambasadori i BE-së, Mikalis Rokas.
Mexhiti: Ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit
Ministri i Ambientit Jetësor, Izet Mexhiti, tha se autobusët elektrikë do të ndihmojnë në përmirësimin e transportit publik dhe uljen e ndotjes së ajrit.
“Me mbështetjen e BE-së dhe UNOPSIT, kryeqyteti i vendit po merr 6 autobusë të ri ekologjikë. Ky është vetëm një nga aktivitetet e parashikuara nga projekti i BE-së për ajër të pastër në të cilën ne veprojmë drejtpërdrejt në një nga burimet e zbuluara të ndotjes. Me pasurimin e flotës së ndërmarrjes së transportit publik në Shkup po përmirësojmë kushtet për zhvillimin e transportit publik nga qytetarët.”, - theksoi ministri i Ambientit Jetësor, Izet Mexhiti.
Arsovska: Dua përkrahje për 250 autobusë elektrikë
Dhurimi i autobusëve nga BE-ja, sipas kryetares së Shkupit, Danela Arsovska, është sukses i madh i qytetit të Shkupit dhe dëshmi e mbështetjes së Bashkimit Evropian.
“Kjo është dëshmi se administrata jonë e qytetit, kur nuk është e bllokuar nga askush, është realisht e aftë të zbatojë diçka që është në dobi të Shkupit dhe të gjithë vendit.”, - u shpreh kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
Kryetarja e qytetit të Shkupit, Arsovska, shpreson që ky projekt do t'i inkurajojë këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit, që ta përkrahin projektin për blerjen sa më të shpejtë e 250 autobusëve të rinj elektrikë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
