Maqedoni

“Loja me punësimet”, BDI: Në Kumanovë largohen nga puna 21 shqiptarë

26.11.2024 14:38

Opozita shqiptare, BDI, akuzon koalicionin VLEN se ka larguar nga puna 21 të punësuar shqiptarë në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë....

Opozita shqiptare, BDI, akuzon koalicionin VLEN se ka larguar nga puna 21 të punësuar shqiptarë në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Siç thuhet në reagimin me shkrim të lëshuar nga BDI - dega e Kumanovës, këto shkarkime ndodhin pikërisht në kohën kur drejtori dhe ministri i Shëndetësisë janë shqiptar. 
 
“Përjashtohen nga puna edhe 21 shqiptarë prej IShP “Shtëpia e Shëndetit” në Kumanovë. Gati në 100 ka arritur numri i shqiptarëve të përjashtuar nga puna në Kumanovë. Këtë ditë edhe më të rëndë e bën fakti se drejtori i këtij institucioni është shqiptar, njëkohësisht edhe ministri i Shëndetësisë shqiptar.”, thonë nga BDI.
 
VLEN: Kontrata të paligjshme, i përdornit për vota
 
Nga koalicioni VLEN sqarojnë se këtyre 21 shqiptarëve, kontratat në vepër u janë ndërprerë, pasi kanë qenë të lidhura në mënyrë të kundërligjshme. Gjegjësisht, edhe pse një kohë të gjatë BDI ka udhëhequr me Ministrinë e Financave, për këto punësime nuk ka dhënë pëlqim. Ata akuzojnë BDI-në se përmes kontratave në vepër i ka mbajtur peng shqiptarët dhe i ka shfrytëzuar ato për vota gjatë cikleve zgjedhore. 
 
“BDI-ja ka manipuluar me mbijetesën e shqiptarëve. I tillë ishte edhe rasti i fundit i 21 të punësuarve në “Shtëpinë e Shëndetit” në Kumanovë, ku BDI-ja në kundërshtim me ligjin i ka manipuluar këta shqiptarë duke iu dhënë kontrata në vepër pa pëlqimin e Ministrisë së Financave. Si drejtues, kemi për detyrë të sigurojmë ligjshmërinë dhe transparencën në menaxhimin e fondeve publike dhe të parandalojmë çdo parregullsi që mund të dëmtojë buxhetin publik. Ndërprerja e këtyre kontratave është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur buxhetin dhe për të përmbushur obligimet ligjore.”, reagojnë nga VLEN.
 
Alternativa: Të gjithë të konkurrojnë përsëri
 
Nga Alternativa thonë se në lëndën e hapur nga Njësia për Krim Ekonomik është konstatuar se në “Shtëpinë e Shëndetit” në Kumanovë janë bërë punësime të paligjshme. 
 
“Si rezultat i kësaj lënde ka dalë në pah sjellja “sherifeske” e BDI-së, të cilët duke mos respektuar asnjë normë juridike shtetërore, po edhe njerëzore, si dhe duke luajtur me ndjenjat e njerëzve, kanë shkaktuar dëme të shumëfishta materiale, njerëzore dhe morale, e gjithë kjo për arsye elektorale.”, - thanë nga Alternativa.
 
Ata inkurajojnë çdo person, të cilit i është ndërprerë kontrata në vepër, të konkurrojë prapë në këtë institucion ose institucionet tjera shëndetësore dhe se do të trajtohen drejt pa asnjë diskriminim ose keqpërdorim politik. 
 
SANIJE DURAKU