Botë
Shqipëri, ushtria do të fuqizohet me forca rezerviste
26.11.2024 15:01
Ushtria shqiptare do të fuqizohet me 2.100 forca rezerviste deri në vitin 2030....

Ushtria shqiptare do të fuqizohet me 2.100 forca rezerviste deri në vitin 2030. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, sqaroi se përmes kësaj nisme synohet të rritet forca ushtarake në dispozicion, si për misione jashtë Shqipërisë, ashtu edhe për përballimin e fatkeqësive natyrore.
“Një arsye që na ka shtyrë për ta sjellë këtë projektligj në Kuvend është edhe situata e sigurisë kohët e fundit. Sipas planit deri në 2030, të kemi 2.100 rezervistë, nëse nuk kërkojnë kushtet më shumë. Është parashikuar edhe përfshirja e rezervistëve në misione jashtë vendit. Benefitet e kësaj nisme ka të bëjë me rritjen e burimeve njerëzore, ka kosto më efektive pasi rezervistët janë me kohë të pjesshme dhe me kosto të ulët në raport me ushtarakun me kohë të plotë. Po ashtu rritet gatishmëria e mbrojtjes dhe shumëfishon forcat për misione apo angazhime në rastet e fatkeqësive.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Për t’u bërë rezervistë, të drejtën do ta kenë të gjithë shqiptarët e padënuar e po ashtu edhe ish-ushtarakët.
“Mund të angazhohen shtetas të padënuar, ish-ushtarakë, por edhe të tjerë që nuk kanë qenë ushtarak. Mosha 50 vjeç për rezervistë, 55 vjeç për nënoficer dhe 60 vjeç për oficer.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Rezervistët do të merren edhe nga diaspora, ndërsa angazhimi do të jetë vullnetar dhe i paguar.
“Synojmë të kemi një program të dedikuar për rezervistët në diasporë. Kostoja do të jetë 1.6 miliardë lekë në vit, nëse marrin të mirëqenë që deri në 2030 do të kemi 2.100 rezervistë. Paga do të jetë sa paga mesatare e ushtarakëve, prej 46 mijë lekë të reja dite pa kosto të tjera.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Kohëzgjatja e shërbimit rezervistë do të jetë nga 14-45 ditë në vit, por ky afat mund të zgjatet nëse rezervisti firmos kontratën për të marrë pjesë në misione ushtarake jashtë vendit.
LULJETA NDOKA
