Maqedoni

UNT, studentët kërkojnë transport publik

26.11.2024 15:18

Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup protestuan sot të revoltuar me problemin e tyre për transportin publik...

Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup protestuan sot të revoltuar me problemin e tyre për transportin publik. Kërkojnë nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja e Transportit Publik t’u sigurojnë transport publik drejt universitetit të tyre. Sipas studentëve, kjo çështje medoemos duhet të zgjidhet sa më shpejt, sepse ata po hasin në vështirësi dhe në kosto të shpenzimeve shtesë pa nevojë, madje edhe duke u vonuar në ligjërata ose provime.
 
“Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, i cili prej shtatorit të vitit të kaluar është zhvendosur në kampusin e ri, në ish-kazermën “Ilinden”, vuan nga linja e përshtatshme e transportit publik. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, për sigurimin e linjave të reja, që do të lehtësonin lëvizjen e studentëve dhe stafit, deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga autoritetet e Qytetit dhe ndërmarrja e qarkullimit publik. Kjo situatë është e papranueshme dhe tregon një mungesë të theksuar të prioritetit për arsimin dhe mirëqenien e të rinjve. Ne si student kërkojmë që të ndërmerren menjëherë hapa për të siguruar linja të transportit publik që lidhin kampusin universitar me pjesët kyçe të qytetit, të rishikojmë politikat e menaxhimit të fondeve publike duke u orientuar drejt nevojave reale të studentëve.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit Studentor, Omer Habibi.
 
Sipas kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, studentët për këtë problematikë duhet t’i drejtohen Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku në mbledhjen e tyre të ardhshme të shtrohet si çështje për zgjidhjen e kësaj problematike.  
 
“Për çdo gjë që është e lidhur me transportin publik, është e rrugës që të drejtohen tek përgjegjësit deri te Këshilli i Qytetit të Shkupit, i cili është i vetmi përgjegjës për rregullimin apo vendosjen e test linjave apo të ndërrimit e gjendjes momentale të rendit të transportit publik. Kështu që ajo çfarë duhet të bëjnë studentët është që të dërgojnë kërkesë deri tek Këshilli i Qytetit të Shkupit dhe ata ta diskutojnë këtë çështje tek mbledhja e ardhshme dhe të vendosë për atë që është në interes të studentëve dhe zgjidhjen e kësaj problematike. Mirëpo, procedura është kjo.”, - theksoi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
 
Studentët thonë se kërkesa e tyre për sigurim të transportit është bërë që nga viti i kaluar rishtazi në organet përkatëse, mirëpo deri më tani nuk është bëre asnjë zgjidhje dhe nuk kanë marrë një përgjigje rreth saj. Më problematike janë relacionet drejt vendbanimeve rurale, prandaj ata kërkojnë që të shqyrtohet mundësia që autobusët që vijnë nga Saraji drejt Bit Pazarit e deri ne Shkup, gjithashtu nga Buteli nëpërmjet Çairit, të kenë qasje deri tek Universiteti “Nënë Tereza” të ndodhur në Kazermën “Ilinden” të Shkupit.    
 
FITORE DEMOLLI