Maqedoni
Kuvend, 30 vjet marrëdhënie diplomatike me Çekinë
26.11.2024 16:02
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi...

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me Delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme, Dhoma e Deputetëve të Parlamentit të Republikës Çeke, të udhëhequr nga deputeti Radek Vondraçek, i cili ishte zëvendëskryetar i Komisionit.
Temë e bisedimeve, sipas shërbimeve të Kuvendit, kanë qenë Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, e që ishte në fokus të bisedimeve mes kryetarit Gashi me deputetët çekë.
Në takim, deputeti Vondraçek theksoi mbështetjen e Republikës Çeke, si dhe e gjithë Grupit të Vishegradit, së pari që ishte për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe logjistikën e vazhdueshme për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
“Kryetari Gashi shprehu mirënjohjen e tij që Republika Çeke, si anëtare e Bashkimit Evropian, i promovon parimisht politikat në kontekstin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai gjithashtu shprehu pritjen për intensifikimin e mëtutjeshëm të kësaj mbështetjeje. Sidomos në raport me Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi ynë në rrugën e integrimit evropian, përkundër kapacitetit të madh për kompromise që kemi treguar në periudhën e kaluar.”, thuhet në komunikatën e Shërbimeve të Parlamentit.
“Qëndrimi i Republikës së Çekisë është për mbështetjen afatgjate të proceseve integruese të vendit tonë dhe të rajonit në tërësi. Republika e Çekisë dhe RMV-së këtë vit shënojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe ndër vite miqësinë dhe respektin e ndërsjellë midis dy vendeve dhe ky bashkëpunim ndër vite vetëm sa është thelluar.”, - theksoi deputeti në Parlamentin e Republikës së Çekisë, Radek Vondraçek.
Po ashtu sipas burimeve të Kuvendit u shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin ndërparlamentar. U theksua se komunikimi ndërmjet trupave të punës dhe grupeve parlamentare për bashkëpunim është shumë i rëndësishëm, duke qenë se vendi ynë ka përcaktim të vendosur për të intensifikuar procesin e reformave, i cili është i rëndësishëm edhe për rrugën tonë të integrimit evropian.
Delegacioni Çek më pas realizoi takime edhe me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Politikë dhe Tregti të Jashtme i Kryesuar nga Musa Xhaferi, si dhe me kryetarin dhe anëtarët e Grupit Parlamentar të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës Çeke, të kryesuar nga Blerim Bexheti.
FITIM KRYEZIU
