Botë

Lugina e Preshevës, Kamberi: Shqiptarët e Luginës, të diskriminuar

26.11.2024 17:05

Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jenë të diskriminuar...

Pasivizimi i adresave është një nga masat diskriminuese, kanë thënë shpesh herë politikanët, por edhe qytetarët shqiptarë në Luginë.
 
Safet Demiri nga fshati Banjë e Sijarinës në Medvegjë, do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, pasi autoritetet e Serbisë ia kanë pasivizuar adresën që në vitin 2019. Gjatë pesë viteve të kaluara ai iu drejtua instancave të ndryshme gjyqësore në Serbi, derisa Gjykata Kushtetuese serbe ia hodhi poshtë ankesën para pak ditësh.
 
Ky rast nxiti reagimin e autoriteteve në Kosovë, por edhe në Bashkimin Evropian, ndërsa çështja e pasivizimit të adresave u përmend edhe në Raportin e sivjetmë të Progresit për Serbinë. Një problem tjetër kur po afron festa më e madhe e kombit shqiptar, Dita e Flamurit, është edhe ndalesa me ligj e përdorimit të flamurit shqiptar.
 
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një postim në Fejsbuk thotë se në Luginën e Preshevës vazhdon gjendje e njëjtë e ndalesës ligjore të përdorimit të simbolit kombëtar nga ana e Serbisë, qoftë edhe për 28 nëntor.
 
"Serbia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor, i cili me ligj ndalon përdorimin e lirë e zyrtarë të simboleve kombëtare të pakicave nacionale, nëse simboli i tyre është identik me simbolin e shtetit tjetër. Në rastin e shqiptarëve, flamuri me fushë të kuqe me shkabën e zezë, dykrenare, në mes, duke qenë në të njëjtën kohë edhe simbol i kombit shqiptar edhe simbol shtetëror i Republikës së Shqipërisë, po përdoret nga Serbia për ta sanksionuar ligjërisht përdorimin e lirë e zyrtarë nga shqiptarët.", shkruan Kamberi.
 
Në mungesë të zgjidhjes ligjore, Kamberi fton shqiptarët e Luginës që më 28 nëntor të gjithë në shtëpitë e tyre ta vendosin nga një flamur kombëtar.
 
"Kësaj radhe t’i përgjigjemi me reagim të gjithanshëm qytetarë. Secili prej nesh, në shtëpitë e veta, më 28 Nëntor të vendosim flamurin kuq e zi. Të shënojmë Festën më të madhe kombëtare dhe të japim dëshminë se nuk e ndryshojmë simbolin kombëtar.", shkruan Kamberi, i cili për këto padrejtësi i ka njoftuar edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare.
 
GYLTENE SINANI