Maqedoni
Sheshi “Skënderbeu” në Shkup, Qeveria ndau 20 milionë euro për parking nëntokësor
26.11.2024 17:57
Qeveria ndau 20 milionë euro për ndërtimin e parkingut pranë sheshit “Skënderbeu”...

Qeveria ndau 20 milionë euro për ndërtimin e parkingut pranë sheshit “Skënderbeu”. Sipas projektit që duhet të nisë në fillim të 2025-ës parashikohen 371 vende parkimi.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, u shpreh se përfundimisht po zgjidhet problemi shumëvjeçar i mungesës së vendeve të parkimit në këtë pjesë të qytetit, duke ndihmuar lehtësimin e trafikut dhe mundësuar një qasje më të lehtë për banorët dhe vizitorët.
“Ky projekt shumëvjeçar parashikon ndërtimin e 371 vendeve të reja për parkim, të shpërndara në dy nivele nëntokësore me një sipërfaqe totale prej më shumë se 13.000 metra katrorë. Gjithashtu, do të sigurohet një numër i përshtatshëm vendesh parkimi për personat me nevoja të veçanta. Me këtë rrumbullakohet sheshi “Skënderbeu”. Me këtë investim, ne tregojmë përkushtimin tonë për të zgjidhur sfidat infrastrukturore me të cilat përballet kryeqyteti ynë, Çarshia e Vjetër e Shkupit, komuna e Çairit dhe komuna Qendër.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Mexhiti siguron se projekti është gati dhe procedura për tenderim do të hapet së shpejti. Duke përmirësuar infrastrukturën, autoritetet presin një rritje të ndjeshme të potencialit turistik në Çarshinë e Vjetër.
Turistët do të kenë një qasje më të mirë në këtë pjesë kulturore-historike të qytetit, gjë që do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe do të krijojë mundësi të reja biznesi.
MERAL ISMAILI
