Maqedoni
Jepen licenca të përkohshme për 624 inspektorë
30.04.2015 15:25
Gjithsej 624 inspektorë morën licenca të përkohshme nga Këshilli Inspektues...

Licencat do t’u shërbejnë deri në qershor të vitit të ardhshëm, më pas do të duhet të japin provimin për inspektorë, si bazë për marrjen e licencës gjashtëvjeçare.
Lëshimi i licencave, sipas drejtorit të Këshillit Inspektues, Vanço Kargov, është pjesë e reformave të filluara të mbikëqyrjeve inspektuese në shtet.
“Vazhdojnë të përgatiten pyetjet e provimit, ndërsa dje pati edhe vendim të komisionit. Njëkohësisht parashikojmë që personat të cilët do të punojnë me këtë problematikë, në periudhën e ardhshme të mbajnë edhe trajnime për përgatitjen e inspektorëve për dhënien e provimeve, respektivisht do t’u japim përkrahje të plotë inspektorëve për këto provime, që duhet të zbatohen deri në qershor të vitit të ardhshëm”- deklaroi drejtori i Këshillit Inspektues, Vanço Kargov.
Në Maqedoni ka rreth 900 inspektorë. Sipas ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski, marrja e licencave do të kontribuojë në kryerjen më cilësore të punës së tyre.
“Të gjithë që duan licenca për inspektorë duhet që të përgatiten, sepse me Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese janë parashikuar kritere serioze. Me aktet nënligjore të ligjit, rregullohen kushtet për kryerjen e punës së inspektorëve, vendosjen e kritereve për ndjekjen e suksesit të aktivitetit të tyre, ndërsa i jepet edhe një rëndësi më e madhe edukimit të vazhdueshëm për përkryerjen e dijeve të inspektorëve”- tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski.
624 licenca të përkohshme janë ndarë për inspektorët me vendime deri në korrik të vitit të kaluar, 140 janë për inspektorët shtetërorë tregtarë, 97 për inspektorët shtetërorë të punës, 47 për inspektorët e bujqësisë, 35 për inspektorët fitosanitarë, 75 për veterinerë zyrtarë, 52 për inspektorë ushqimorë, 50 inspektorë shtetërorë të arsimit, 26 inspektorë shtetërorë për transport, 18 inspektorë shtetërorë për pyje dhe 33 për inspektorë administrativë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
