Botë

ShBA, Çutkan pushon çështjen penale ndaj Trampit

26.11.2024 18:40

Një gjykatëse amerikane pushoi çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trampit...

Një gjykatëse amerikane pushoi çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trampit për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pas një kërkese të prokurorëve bazuar në politikën e Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë.
 
Vendimi i gjykatëses, Tanja Çutkan, i jep fund përpjekjes federale për ta mbajtur Trampin përgjegjës për përpjekjet e tij për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020, duke kulmuar me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga një grup i mbështetësve të tij.
 
Vendimi pasoi kërkesën e prokurorit të posaçëm, Xhek Smit, i cili ka mbikëqyrur rastin për zgjedhjet dhe atë për dokumentet sekrete, për të pushuar të dyja çështjet. Trampi është akuzuar se pas largimit nga detyra e Presidentit në 2021, ai ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente sekrete.
 
Ky vendim është një fitore e madhe ligjore për presidentin e zgjedhur republikan, i cili fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe do të kthehet në detyrë më 20 janar.