Maqedoni
“Eco Guerilla”: “Jugohrom” të vendosë filtrat ose të ndërpresë punën
30.04.2015 15:31
Në ditën e fundit kur “Jugohromi” duhet të vendosë filtra kundër ndotjes së ajrit me dorëzimin simbolik të një kopje të kushtetutës, “Eko Guerilla”...

Në ditën e fundit kur “Jugohromi” duhet të vendosë filtra kundër ndotjes së ajrit me dorëzimin simbolik të një kopje të kushtetutës, “Eko Guerilla” përkujtoi sot prokurorinë për të drejtën kushtetuese të qytetarëve për ambient të pastër jetësor.
Nga “Eko Guerilla” kërkojnë që prokuroria të procedojë padinë e parashtruar në Prokurorinë e Tetovës, për marrjen e masave ndaj Kompanisë “Jugohrom”, e cila është ndotësja më e madhe e ambientit në Tetovë dhe Pollog.
“Ky akt pason pas dorëzimit të padisë në Prokurorinë e Tetovës. Kërkojmë nga prokurori publik që të njëjtën ta procedojë dhe presim që të jetë kompetent deri në fund. Kërkesa jonë është që ligji dhe kushtetuta të vlejë njësoj edhe në Tetovë, siç vlen edhe për Shkupin”- deklaroi Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.
Kur dihet se “Jugohrom” nuk ka bërë asgjë për vendosjen e filtrave ekologjik, nga “Eco Guerilla” propozojnë që edhe për “Jugohromin” të vlejnë të njëjtat masa siç u ndërmorën për “Makstillin” në Shkup, që nënkupton mbylljen e kësaj kompanie deri në vendosjen e filtrave ekologjik.
Njëherit ata në këtë drejtim kërkojnë angazhimin e të gjithë bartësve të funksioneve qeveritare dhe deputetëve nga Tetova pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe partiake.
“Reagimi ynë ishte i ndërlidhur nga një informacion që e morëm nga ministri i Mjedisit Jetësor, i cili tregoi se inspektorët kanë kryer hulumtimet në teren dhe kanë parë që nuk janë vendosur filtrat, do të thotë nuk është bërë as një hap përpara. Epilogu i këtij problemi nuk është me vendosjen e filtrave, edhe pse ajo është kërkesa jonë, mirëpo qeveria mund të vendos njësoj siç vendosi për “Makstilin”, t’i japë një afat tjetër gjashtëmujor, por brenda këtij afati të ndalojnë të gjitha punët derisa të implementohen marrëveshjet. Ne presim që nuk do të tradhtohemi kësaj radhe. Është shumë me rëndësi që të zgjedhurit tanë, ata në qeveri dhe gjithë deputetët nga Tetova, pavarësisht kombësisë, duhet ta kuptojnë që durimi i qytetarëve po merr fund dhe duhet të merren shumë seriozisht me këtë çështje, pasi bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve të Tetovës”- tha Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.
Vendimi me të cilin do të shtyhej afati i vënies së filtrave nga “Jugohromi” pa ndërprerjen e punës, do të ishte antikushtetues dhe antiligjor, vlerësojnë nga “Eko Guerilla”.
Sipas kësaj organizate, vendosja në mënyrë arbitrare, me shumicë votash, në një mbledhje qeveritare nuk e bën vendimin e saj të ligjshëm.
GYLTENE SINANI
