Botë
Izraeli dhe Hezbollahu arritën armëpushim të përkohshëm
27.11.2024 11:24
Ka hyrë në fuqi një armëpushim i përkohshëm midis Izraelit dhe Hezbollahut....

Ka hyrë në fuqi një armëpushim i përkohshëm midis Izraelit dhe Hezbollahut. Kryeministri Netanjahu thotë se qëllimet janë arritur dhe tre arsyet kryesore për pranimin e tij janë kërcënimi iranian, rigrupimi i ushtrisë izraelite dhe izolimi i Hamasit, i cili do të jetë nën presion edhe më të madh për lirimin e pengjeve, pasi të humbasë mbështetjen e Hezbollahut. Ata njoftuan se do të përgjigjen fuqishëm nëse militantët tentojnë t'i sulmojnë ose ta riorganizojnë procesin e rindërtimit të armëve.
“Hezbollahu nuk është më i njëjti, e kemi dobësuar ndjeshëm, e kemi kthyer me dekada prapa. Ne kemi eliminuar Nasrallahun, si dhe të gjithë liderët e tyre. Ne kemi shkatërruar shumë nga raketat, mijëra terroristë dhe infrastrukturën nëntokësore pranë kufijve tanë. Por, paqja do të varet nga ajo që do të ndodhë. Nëse ata vazhdojnë të hapin tunele dhe të lëshojnë raketa, ne do të sulmojmë përsëri.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Shtetet e Bashkuara dhe Franca, ndërmjetësit kryesorë të marrëveshjes, e mirëpritën armëpushimin. Ata besojnë se do të jetë një bazë e mirë për zbatimin e armëpushimit me Hamasin në Gazë.
“Kjo është projektuar për të qenë një ndërprerje e përhershme e armiqësive. Ajo që ka mbetur nga Hezbollahu nuk do të lejohet të kërcënojë përsëri sigurinë e Izraelit. Gjatë 60 ditëve të ardhshme, ushtria libaneze dhe forcat e sigurisë shtetërore do të vendosen dhe do të rimarrin kontrollin e territorit të tyre, ndërsa Izraeli gradualisht do të tërheqë forcat e tij të mbetura. Dhe civilët nga të dyja palët së shpejti do të jenë në gjendje të kthehen të sigurt në komunitetet e tyre.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
“Kjo marrëveshje duhet të hapë rrugën edhe për armëpushimin e shumëpritur në Gazë, nuk duhet të harrojmë se lufta atje vazhdon, si dhe përpjekjet tona për t'i dhënë fund armiqësive.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Izraelitët e zhvendosur nga veriu kanë shprehur dyshime, ata thonë se nuk ndihen të sigurt për t'u kthyer në shtëpitë e tyre.
“Kontrata nuk më bën të sigurt dhe nuk jam gati të kthej familjen time në shtëpi.”, - tha një banor i Izraelit.
“Nuk mendoj se është e sigurt të kthehemi në shtëpitë tona, Hezbollahu është ende pranë nesh dhe ne mbetemi objektivi i çdo rakete të tyre.”, - tha një banor tjetër i Izraelit.
Nga ana tjetër, refugjatët libanezë e mirëpritën marrëveshjen për armëpushim.
“Gëzimi ynë është i madh. Gjaku është ende në tokë, por falë këtij gjaku ne do të kthehemi në fshatrat tona dhe në vendin tonë.”, - u shpreh një banor i Libanit.
“Jemi të lumtur që kthehemi në atdheun tonë në jug.”, - u shpreh një banor tjetër i Libanit.
Kryeministri libanez Najib Mikati tha se armëpushimi është një hap themelor drejt vendosjes së qetësisë dhe stabilitetit në Liban. Pak para se marrëveshja të hynte në fuqi, të dyja palët shkëmbyen zjarr përgjatë vijës së kaltër.
BELINDA KOKA ADEMI
