Maqedoni

“Bomba” e 28, keqpërdorimi i kompanive për qëllime partiake

30.04.2015 15:55

“Bomba” e 28 e socialdemokrateve shpërtheu sot në Kavadar. Zoran Georgiev nga LSDM-ja akuzoi VMRO-DPMNE-në...

“Bomba” e 28 e socialdemokrateve shpërtheu sot në Kavadar. Zoran Georgiev nga LSDM-ja akuzoi VMRO-DPMNE-në se përmes presioneve të shumta dhe përmes keqpërdorimit të kompanive private ka fituar në Kavadar.
 
Gorgiev tha se audio-xhirimet e përgjuara dëshmojnë se kryetari i kësaj komune, Aleksandar Panov, gjatë bisedave me ministrat pranon se lista e këshilltarëve të partisë në pushtet në zgjedhjet lokale nuk është e mirë.
 
Në një bisedë, sipas LSDM-së, dëgjohet zëri i Mile Janakievskit, i cili gjatë zgjedhjeve lokale ka kërkuar të informohet për atë nëse pronari i firmës së njohur “Kozhuvçanka” punon për VMRO-DPMNE-në dhe nëse i ka nxjerrë punëtorët të votojnë atë ditë. 
 
Në një bisedë tjetër ndërmjet Sasho Mijallkovit dhe Musa Xhaferit bisedohet për punësimet në kompaninë e sigurimit “SGS”, ku Xhaferi thotë se janë punësuar disa anëtarë të PDSh-së në Çair, të cilët kërkon të largohen.
 
Në një bisedë tjetër ndërmjet Janakievskit dhe Panovit dëgjohet se si problemi me kultivuesit e rrushit ka ndodhur pas shitjes së “Vinea”, pas çka kultivuesit dalin në protesta.  
 
“Kjo është e vërteta për Kavadarin dhe për Maqedoninë. Grupi kriminel janë ngjitur për karriget e tyre, me qëllim të vetëm, që të pasurohen. Ne të Kavadarit i jemi bashkuar betejës për të kthyer lirinë, demokracinë dhe drejtësinë në Maqedoni”- tha Zoran Georgiev nga LSDM.
 
Nga materialet e përgjuara zbulohet se prapa partisë Partia Socialdemokrate e Maqedonisë (PSDM) qëndron VMRO-DPMNE, thotë Georgiev.
 
Sipas socialdemokratëve, tani më qytetarët gradualisht e zbulojnë të vërtetën mbi keqpërdorimet e pushtetit. 
 
SANIJE KASAMI