Botë

Kurti: Kosova do të ketë industrinë e saj ushtarake

27.11.2024 14:29

Kosova ka nisur procesin për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe të një laboratori për dizajnim të dronëve...

Kosova ka nisur procesin për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe të një laboratori për dizajnim të dronëve. Këtë e bëri të ditur kryeministri, Albin Kurti, i cili tha se tanimë e ka nënshkruar vendimin për themelimin e një komisioni ndërministror, që ka për qëllim vlerësimin dhe nisjen e këtij procesi. Kurti tha se ky është një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë së Kosovës.
 
“Do të themelojmë Komisionin ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës. Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore, prandaj ne sot hedhim hapat tona të parë për ngritjen e industrisë ushtarake.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Maqedonci: Kosova do të prodhojë municion dhe dronë
 
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ShBA-në, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tanimë ka përpiluar një “raport fizibiliteti” për prodhimin e municionit.
 
“Për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit jemi në kontakt dhe kemi pranuar edhe një raport fizibiliteti me prodhues shtetëror nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Turqisë.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
 
Kosova synon edhe prodhimin e fluturakeve pa pilot, përkatësisht dronëve, të cilët, siç tha ministri Maqedonci, paraqesin një sistem të ri që po aplikohet në luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
 
“Është një sistem i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe përmes këtij laboratori vendi ynë do të ketë mundësi që të punojë në dizajnimin e fluturakeve, të cilat në të ardhmen mendohet se mund të prodhohen pikërisht në vendin tonë. Edhe për këtë kemi diskutime me shumë partnerë.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
 
Municionet e prodhuara në Kosovë do të jenë me standarde të NATO-s, tha ministri Maqedonci, sipas të cilit me këtë synohet rritja e sigurisë për Kosovën, por edhe mbështetje e partnerëve në aspekt të municionit dhe sistemeve të armatimit.
 
GYLTENE SINANI