Maqedoni

Akuzat rreth largimit të shqiptarëve nga puna, Sulejmani: Janë ngritur procedura hetimore

27.11.2024 14:44

Koalicioni VLEN mohon akuzat e vazhdueshme të BDI-së se shqiptarët po largohen nga puna...

Koalicioni VLEN mohon akuzat e vazhdueshme të BDI-së se shqiptarët po largohen nga puna. Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, thotë se bëhet fjalë për kontrata të kundërligjshme pa pëlqim paraprak nga Ministria e Financave, të cilat BDI-ja i ka përdorur për t’i mbajtur qytetarët peng gjatë zgjedhjeve. Statusi i këtyre të punësuarve do të zgjidhet vitin e ardhshëm, tha Sulejmani, ndërsa shtoi se për këto raste janë ngritur edhe procedura hetimore. 
 
“Nuk janë të vërteta akuzat se po përjashtohen shqiptarët nga puna, kanë qenë të punësuar në mënyrë të paligjshme dhe prandaj u janë ndërprerë kontratat. Zgjidhje do të mundohemi të gjejmë vitin e ardhshëm. Ka procedurë hetimore për këto raste dhe prandaj ne nuk kemi mundur që në publik të hedhim dokumente, sepse do ta pengonin hetimin e këtyre rasteve. Edhe për rastin në Kumanovë është ngritur procedurë.”, - deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
 
Sa i përket paralajmërimit të Blerim Bexhetit se do ta padisë koalicionin VLEN për shpifje, nëse nuk kërkojnë falje publike për akuzat se eksponentë të lartë të BDI-së kanë pasur plan për rikthimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, nga Hungaria, Sulejmani tha se është vetëm tentativë për t’u ikur përgjigjeve reale. 
 
“Edhe ndryshimet në kodin penal, të cilët i sjelli Qeveria e kaluar LSDM-BDI, dyshojmë se arsyeja kryesore ka qenë që të amnistohen lëndët në të cilat ka qenë i akuzuar Nikolla Gruevski. Mendoj se janë argumente të mjaftueshme për të konkluduar se ka pasur tentativë për kryerjen e një operacioni të tillë. Pse është vepruar në këtë drejtim? Mendojmë se qëllimi i vetëm ka qenë vazhdimi i pushtetit të BDI-së.”, - theksoi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani. 
 
Nga VLEN-i kujtojnë edhe deklaratën e ish-presidentit, Pendarovski, se disa eksponentë politikë e kanë konsultuar për amnistimin e mundshëm të Gruevskit dhe kërkojnë nga i njëjti që të tregojë se kush janë ato persona. Por, deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, në një njoftim drejtuar mediave ka thënë se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë audio apo video-incizim nga sinjalizues apo punonjës në zyrën e Presidentit apo as që nuk ka marrë ndonjë informacion për ndonjë takim me politikanë, në të cilin është diskutuar për kthimin e Nikolla Gruevskit. Madje Bexheti ka paralajmëruar padi edhe për mediat, që siç thotë ai, kanë shpifur për një lajm të tillë. 
 
SANIJE DURAKU