Durmishi: Paga minimale do të rritet për 2.000 denarë

27.11.2024 15:39

Ministri i Ekonomisë, Durmishi...

Ministri i Ekonomisë, Durmishi, bën të ditur se janë planifikuar mjete për rritjen e pagës minimale për rreth 2.000 denarë. Kështu, shuma maksimale e pagës minimale do të ishte rreth 24.500 denarë. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se dëshirat e tij janë edhe më të larta, por gjithçka varet nga negociatat dhe mundësitë.

“Dua që paga minimale të jetë 600 euro. Realisht, kërkesa është 450, dua të jetë 600 euro. Por, le të shohim të gjithë aktorët, për të hapur temën në ditët e para të dhjetorit. Do të dëgjojmë nga të gjitha palët e interesuara, do të shohim edhe mundësitë e Qeverisë, nëse planifikohen kaq shumë fonde dhe a ka mundësi. Ne do të shohim edhe kërkesat e punëdhënësve, sepse edhe ata janë palë të interesuara të kësaj kërkese dhe më në fund do të marrim një vendim të përbashkët.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Paga minimale, sindikatat kërkojnë rritje në 450 euro

Paga minimale do të jetë temë e bisedimeve në takimin e ardhshëm të këshillit ekonomiko-social, e cila do të mbahet para vitit të ri.  Sindikatat këmbëngulin në rritjen e pagës minimale në 450 euro për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve, për të përshtatur pagat me rritjen e të ardhurave minimale rajonale dhe për të parandaluar ikjen e fuqisë punëtore në Evropën Perëndimore.

“Nëse e dini se paga minimale në Mal të Zi nga 600 është deri në 800 euro, nëse e dini se paga minimale në Bosnje dhe Hercegovinë nga 1 janari do të jetë 600 euro, nëse e dini se në Serbi është 544 euro, mendoj se shporta konsumatore e sindikatës është 62.000 denarë dhe kjo tregon se pagat duhet të rriten. Ne jemi duke diskutuar këtë çështje në lidhje me masat e Qeverisë për kufizimin e marzhave dhe mendoj se në seancën e ardhshme do të paraqesim argumentet tona që duhet t’i bindim për nevojën e rritjes së të gjitha pagave, përfshirë edhe pagën minimale.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

Deri në fund të javës së ardhshme do të shpallet shporta e Vitit të Ri, e cila do të përfshijë rreth 600 produkte, ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, sipas të cilit kjo shportë, ashtu si edhe ajo e vjeshtës, do të zgjasë një muaj. (Ersan Pajaziti, TVM2)