Parlamenti Evropian miratoi përbërjen e re të Komisionit Evropian
Komisioni i ri Evropian nën drejtimin e Ursula von der Lejen....

Komisioni i ri Evropian nën drejtimin e Ursula von der Lejen zyrtarisht mund të nisë me punë më 1 dhjetor. Parlamenti Evropian në Strasburg sot me shumicë të madhe votash votoi përbërjen e re të Komisionit Evropian. Respektivisht me gjithsej 370 vota "për", 282 "kundër" prej gjithsej 688 eurodeputetë sa numëron PE-ja, për herë të dytë ia besuan mandatin e dytë pesëvjeçar Ursula Von Der Lejen, e cila në fakt është grua e parë, e cila për dy herë radhazi do te udhëheqë pushtetin ekzekutiv evropian.
Gjatë prezantimit të përbërjes se re të KE-së, Ursula von der Lejen, para deputetëve evropianë tha se do t’i mbështesë kandidatët për anëtarësim në rrugën e tyre drejt BE-së, derisa bëhen tërësisht të gatshëm për t’i bashkëngjitur plotësisht në familjen e madhe.
"Ne kemi parë angazhimin e Ballkanit Perëndimor për të reformuar, rritur dhe përgatitur, për t'u bashkuar me Unionin tonë. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë se si Rusia nuk do të ndalet para asgjëje për t’i penguar ata të kenë një të ardhme evropiane. Por, të nderuar anëtarë, angazhimi i Evropës ndaj këtyre vendeve do të jetë gjithmonë më i fortë.", - deklaroi Ursula von der Lejen nga PE-ja.
Me votimin e sotëm, PE-ja njëherit miratoi edhe të gjitha mandatet e komisionarëve evropianë. Në pesë vitet e ardhshme me rajonin e Ballkanit Perëndimorë më së shumti do të merret komisionarja e sapozgjedhur për Zgjerim, Marta Kos, nga Sllovenia dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas. Që të dyja, u zotuan se do të angazhohen që në pesë vitet e ardhshme zgjerimi i BE-së të bëhet realitet.
"Po pres që RMV-ja të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, sepse kjo është diçka që presim, asgjë më shumë e asgjë më pak. Mendoj se kjo gjë është e mundur, e arritshme dhe më pas të përshpejtohet procesi eurointegrues i vendit.", - theksoi eurokomesarja për Zgjerim, Marta Kos.
Në të njëjtën vijë është edhe Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, eurodeputeti austriak Tomas Uaits, i cili beson ne punën e tyre se mund të arrihen rezultate nëse RMV-ja punon fuqishëm për t'i përmbushur detyrimet që dalin nga korniza negociuese.
"Duhet të sigurohet se pas ndryshimit të Kushtetutës nuk duhet të ketë kërkesa shtesë për Maqedoninë, kjo duhet të jetë ligjërisht e obligueshme. Kam vërejtur se Qeveria do të mund ta ndryshonte Kushtetutën nëse ka garanci se Bullgaria nuk do ta bllokojë procesin eurointegrues. Ndryshmet kushtetuese me veprim prolongues, nuk besoj se mund të kalojnë, por kërkesat e Qeverisë së RMV-së për të pasur garanci apo te ardhme të parashikueshme janë legjitime.", - u shpreh raportuesi i RMV-së në PE, Tomas Uaits.
Uaitsi njëherit u bëri thirrje përfaqësuesve të RMV-së që të vihen në realizimin e reformave, sidomos në luftimin e korrupsionit dhe gjyqësorin e pavarur. I pyetur nga gazetarët lidhur me Ballkanin e Hapur, Uaitsi u shpreh skeptikë mbi suksesin e kësaj iniciative, madje tha se kjo është një nismë e iniciuar nga Serbia për interesat e saj për te mbizotëruar rajonin.
Nga gjitha takimet që patë grupi i gazetarëve të RMV-së me diplomatë dhe zyrtarë të Parlamentit Evropian këtu në Strasburg na është theksuar se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën eurointegruese. (Rexhep Qamili, TVM2)
