Maqedoni
Bashkimi Evropian për Maqedoninë, Orav: së shpejti janë të nevojshme vendime serioze
30.04.2015 16:29
Javëve të ardhshme janë të nevojshme vendime serioze në vend, duke lënë mënjanë interesat partiake...

Javëve të ardhshme janë të nevojshme vendime serioze në vend, duke lënë mënjanë interesat partiake, ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav, duke shtuar se priten më shumë vepra se sa fjalë të mira. Orav, tha se Maqedonia duhet të kthehet në rrugën e Bashkimit Evropian.
Pjesa më e madhe e popullit e mbështesin Bashkimin Evropian dhe këtë politikanët duhet ta kenë parasysh. Në Bruksel është shumë e qartë për atë se çfarë po ndodhë në Maqedoni, shtoi Orav.
“Mendoj se shumë vendime serioze janë të nevojshme në ditët dhe javët e ardhshme. Unë mendoj se ata që do t’i miratojnë këto vendime nuk duhet të kenë parasysh vetëm interesat partiake dhe personale. Unë besoj se politikanët nuk kanë shumë kohë t’i zgjedhin ato pyetje, sepse ne jemi këtu, po shkruajmë raportin e ri të progresit në mënyrë teknike, megjithatë njerëzit dhe politikanët e shkruajnë përmbajtjen e raportit dhe nëse nuk gjejmë asgjë pozitive të shkruajmë në raport-progresin, atëherë Komisioni Evropian do të jetë në situatë të vështirë përsëri në tetor nëse të rekomandon përsëri rekomandim apo të mos rekomandojë”- deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
I pyetur nëse Bashkimi Evropian është i kënaqur nga mënyra se si qeveria po ballafaqohet me aferën e përgjimeve dhe nëse merr parasysh faktin që ambasadorja gjermane kohë më parë kërkoi dorëheqje me qëllim të mundësohet hetim i pavarur, Orav u përgjigj: “Kur javën e kaluar vendet anëtare të BE-së miratuan konkluzat e Këshillit Evropian në Bruksel, ata përdorën termin seriozisht të shqetësuar. Në mënyrë diplomatike këtu nuk ka shumë se çfarë të shtohet. Seriozisht të shqetësuar. Edhe pse ky vendim nuk mori vëmendjen e duhur në këtë vend, gjuha është shumë e qartë. Edhe në intervistën time të fundit, 10 deri më 15 herë përdora termin “të shqetësuar” dhe kjo do të thotë se nuk jemi të lumtur për atë se çfarë po ndodhë këtu”- tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
I pyetur se si e vlerëson qëndrimin e BDI-së si parti qeveritare, e cila nuk e ndjen veten pjesë të problemit aktual politik, Orav vlerësoi se varet prej BDI-së se si do të sillet në këtë krizë, duke mos komentuar më tepër.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, tha se BDI ka politikë që t’i ndihmojë Maqedonisë, që me sukses më të madh të përballet me këtë situatë dhe të ketë sukses në procesin integrues në BE.
“BDI, jo vetëm në këtë gjendje, por edhe në vazhdimësi tenton që të ndërtojë një praktikë të interesit shtetëror mbi atë partiak në interes të stabilitetit”- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
Orav tha se tre anëtarët e Parlamentit Evropian janë në disponim t’u ndihmojnë partive politike, por më parë duhet të jepen propozime serioze dhe të arrihet kompromis pa marrë parasysh kush është mediator.
Orav u shpreh se sikurse edhe Ban Ki Mun të jetë ndërmjetësues, nuk do të mund të ndihmojë nëse nuk ka gatishmëri nga palët.
Këto vlerësime u bënë gjatë paralajmërimit te aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës.
FLORIJE KAMBERI
