Botë
SPAK, Berisha lirohet nga arresti shtëpiak
27.11.2024 17:10
Pas 11 muajve brenda 4 mureve të shtëpisë, Sali Berisha është i lirë...

Pas 11 muajve brenda 4 mureve të shtëpisë, Sali Berisha është i lirë. Gjykata e Posaçme e liroi kryetarin e Partisë Demokratike nga çdo masë sigurie, edhe pse është në hetim për aferën e privatizimit të ish-klubit “Partizani”. Me gjithë këtë vendim në favor të tyre, avokati i Berishës, Genci Gjokutaj, akuzoi drejtësinë si të lidhur me politikën.
“Ne nuk i besojmë gjykatave. Procesi është politik, nuk ekziston arsye ligjore. SPAK-u duhet të ulë kokën dhe të shikojë çfarë ka bërë, i ka hipur një kali për së prapthi. Mos u mërzisni pse u lirua Berisha!”, - theksoi avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Vetë Berisha në daljen e parë pas 11 muajsh iu drejtua selisë së Partisë Demokratike ku e prisnin shumë militantë.
“U krye edhe kjo punë. Edi Rama dhe Sorosi dështuan përfundimisht.”, - u shpreh Sali Berisha.
Prej 30 dhjetorit të vitit 2023, Sali Berisha u mbyll në shtëpi, pasi refuzoi në mënyrë të vazhdueshme të zbatojë masën e parë që gjykata vendosi ndaj tij, atë të detyrimit për t’u paraqitur, si person nën akuzë për korrupsion pasiv.
LULJETA NDOKA
