Maqedoni

Seancë për pyetje deputetësh, asnjë deputet nuk pyet Jankullovskën për Gushincën

30.04.2015 17:21

As qeverisja, as gjendja e sigurisë dhe as aksionet në Gunishncë e gjetiu nuk janë me interes për deputetët si përfaqësues të qytetarëve...

Asnjë deputet nuk shfrytëzoi të drejtën që të kërkojë sqarime nga ekzekutivi për zhvillimet e fundit, posaçërisht aksionet policore në vendbanimet shqiptare. Edhe pse në seancë ishte prezent edhe kryeministri edhe ministrja e Punëve të Brendshme, askush nuk mori guximin të kërkojë sqarim.
 
Deputetët shqiptarë të shumicës parlamentare pyeten për biletat e autobusëve dhe shpërndarjen e tyre nga stacionet te transportuesit.
 
“Pyes ministrin Janakievski për një vendim për përcaktimin e pagesës për shfrytëzimin e shërbimeve të stacioneve të autobusëve. Kemi ankesa nga transportuesit dhe agjencionet. Të gjitha këto mjete i mban ky sistem unifikues, të njëjtat ua çon stacioneve të autobusëve, të cilët këto mjete i mbajnë sikur të jenë të tyre dhe kur u kujtohet ua shpërndajnë agjencioneve që kanë shitë bileta apo transportuesve të pasagjerëve”- deklaroi deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.
 
As deputetët e PDSh-së nuk kërkuan sqarime për aksionet policore nga policja e parë, Gordana Jankullovska. PDSh, fajin e kërkon nga BDI-ja. Por, nuk ka kursyer as mediat, analistët dhe sektorin joqeveritar.
 
“E këta pasi mendojnë se janë liruar nga mëkatet, bëjnë yrish pas telenovelave në press-konferenca dhe kërkojnë nga Gruevski, Mijalkovi, Gordana e Trajkovski të angazhohen për të drejtat e shqiptarëve. Kurse ata që e kanë “legjitimitetin” e shqiptarëve: Alija, Musa, Teuta, Abdylaqimi, Adnan Jashari, Zemri Qamili e plotë të tjerë çfarë bëjnë dhe pse rijnë në qeveri? Pse nuk e parandalojnë Gruevskin e Gordanën, Cërvenkovskin e Zaevin që të mos i shkelin të drejtat e shqiptarëve”- tha deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi.
 
Institucioni “pyetje deputetësh” ka për qëllim që deputetët në një seancë të posaçme të kërkojnë sqarime dhe llogari nga kryeministri dhe ministrat për të gjitha çështjet në kompetencë të pushtetit ekzekutiv. Mirëpo, gjithnjë e më shumë po shtohet perceptimi se deputetët e shumicës parlamentare parashtrojnë pyetje me porosi nga vetë ekzekutivi për të promovuar politikat dhe projektet e qeverisë.