Një milion ukrainas mbetën pa energji elektrike

28.11.2024 12:58

Të paktën një milion njerëz kanë mbetur pa energji elektrike...

Të paktën një milion njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në të gjithë Ukrainën pas një sulmi të madh rus me raketa gjatë natës në infrastrukturën energjetike në vend.

Rojters raporton se tri rajone në perëndim janë prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Maksim Kozitskji, guvernator i rajonit perëndimor të Ukrainës, raportoi sulme në infrastrukturën energjetike atje dhe tha se më shumë se gjysmë milioni njerëz në rajon ishin pa energji elektrike.

Raketat u lëshuan gjatë natës drejt Harkivit, Odesës dhe tetë rajoneve të tjera.

Mbetjet e raketave u raportuan në dy lokacione në Kiev, por autoritetet lokale pohuan se mbrojtja ajrore kapi të gjitha raketat e lëshuara në kryeqytet.

Kryebashkiaku Vitali Klitçko raportoi dëme në prona, por jo viktima. Operatori kombëtar i rrjetit energjetik “Ukrenergo” ka "paraqitur urgjentisht ndërprerje të energjisë elektrike", ka thënë ministri i Energjisë, German Galushçenko.

Ndërkohë, temperatura në Kiev nuk pritet të rritet mbi 2 gradë celsius të enjten.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendon se ka shkatërruar 25 dronë ukrainas gjatë natës në katër rajone, duke përfshirë Krimenë e aneksuar nga Moska në vitin 2014.