Maqedoni
Punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, me protesta kërkojnë mbështetje institucionale
30.04.2015 17:28
Punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, me anë të protestës shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve shtetërore...

Punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, me anë të protestës shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve shtetërore, të cilat, sipas tyre, aspak nuk kontribuojnë që t’u lehtësohet situata në të cilën gjenden.
Ata kërkojnë që autoritetet vendore t’i dëmshpërblejnë dhe gradualisht t’i punësojnë, sepse ballafaqohen me probleme të mëdha financiare dhe mezi e kalojnë muajin.
“Ne punëtorët e falimentuar kërkojmë jo vetëm daljen në pension, por dëmshpërblim deri në punësimin tonë, sepse me vite të tëra jemi pa asnjë denarë. Ne nuk refuzojmë punë, por assesi nuk mundemi të sigurojmë punë. Ne kemi disa oferta të cilat njeherit janë edhe kërkesat tona, ajo është pensionimi i të falimentuarve meshkuj në 60 vjet dhe 58 vjet për gratë, dëmshpërblim për të gjitha vitet që jemi pa asnjë të ardhur, si dhe punësimi ynë gradual”- deklaroi përfaqësuesja e punëtorëve të falimentuar, Liljana Georgievska.
Osman Aliu, njëri nga ish të punësuarit në ndërmarrje të falimentuar, shprehet se ata janë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë ekonomike dhe se lufta e tyre për mbijetesë nga dita në ditë vështirësohet.
Ai gjithashtu lëshoi akuza ndaj Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, pasi ia kanë ndalur ndihmën sociale prej 2 mijë denarëve vetëm sepse Komuna e Kumanovës i ka ndarë atij 6 mijë denarë për shërbime shëndetësore.
Aliu kërkon që institucionet kompetente mos të sillen ndaj punëtorëve të falimentuar sikur të mos jenë qytetarë të këtij shteti, si dhe të rishqyrtojnë vendimin për ndërprerjen e ndihmës mujore sociale.
Kjo është hera e tretë që brenda vitit 2015 punëtorët e falimentuar protestojnë, por as nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e as nga Ministria e Financave nuk e panë të arsyeshme që t’i pranojnë ata në bisedime.
SANIJE KASAMI
