Likovë, shënohet 28 Nëntori, Mateç përurohet Shtëpia e Kulturës

28.11.2024 14:17

Në fshatin Mateç të komunës së Likovës...

Në fshatin Mateç të komunës së Likovës, sot kishte festë të dyfishtë. U festua 28 Nëntori - Dita e pavarësisë së Shqipërisë, kurse për nder të ditës së Flamurit u përurua Shtëpia e Kulturës.

Në shënimin e festës së dyfishtë u mbajt një program i begatshëm kulturo-artistik, të cilin e përcollën qytetarë të shumtë të kësaj ane.

Bëhet fjalë për një projekt kapital i nisur pas luftës së vitit 2001, kur edhe u shkatërrua objekti i vjetër. Objekti i ri i këtij tempulli të aktiviteteve kulturore posedon kushte bashkëkohore për zhvillimin e kulturës, kurse salla posedon 400 ulëse për publikun.

“Në këtë vend ku jemi tash, në vitin 2001 u bë gjithçka tym e hi. Në këtë vend ku jemi tash në vitin 2001 ranë 14 dëshmorë të kombit, andaj ky vend është i shenjtë, komuna e Likovës në përgjithësi është e shenjtë dhe dua që të ruajmë me fanatizmin më të thellë ndërgjegjen dhe punën të cilën e kemi bërë dhe që duhet të bëjmë.”, - theksoi kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Ndryshe, Dita e Flamurit në rajonin e Kumanovës dhe Likovës u shënua edhe me aktivitete tjera të shumta, kryesisht në shkollat fillore dhe të mesme, ku u shfaqën programe të begata kulturore e artistike. (Fatlum Aqifi, TVM2)