Ndryshimet kushtetuese, Gashi: Kemi siguruar dy të tretat e votave

28.11.2024 14:31

Kryeparlamentari Afrim Gashi...

Kryeparlamentari Afrim Gashi siguron se janë siguruar 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, por që procedura e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë do të vijë në momentin e duhur politik. Gashi nuk përcakton kohën, por thotë se presin garanci për hapje të arsyeshme të Kushtetutës.

“Parlamenti është gati që në çdo moment ta fillojë procedurën për ndryshimet kushtetuese dhe ta përmbyllë në një afat më të shkurtër të mundshëm, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta edhe Rregullorja. Besoj që edhe numrat dy të tretat i kemi, vetëm varet nga momenti politik, kur do të kemi sinjal dhe garanci se ndryshimet e tilla kushtetuese do të nënkuptojnë që të mos kemi edhe në të ardhmen hapje të Kushtetutës për çështje që kanë të bëjnë me identitetin, kulturën, historinë e kështu me radhë.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

Gjuha shqipe, Gashi: Presim vendimin e kushtetueses

Gashi thotë se nuk dorëzohen as nga heqja e 20%-it, por sipas tij është çështje e marrëveshjes politike për t’u perceptuar kjo kërkesë e shqiptarëve. Sa i takon shfuqizimit të tre dispozitave të ligjit të gjuhëve, Kuvendi do ta diskutojë pasi të prononcohet kushtetuesja.

“Nuk i kemi diskutuar për shkak se është çështje e Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se po paragjykojmë, mendoj se duhet të presim, të shohim çfarë do të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese dhe pastaj, ju e dini se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare. Në një situatë të re eventuale, por unë shpresoj që s’ka nevojë për një situatë të atillë, por nëse ndodh atëherë do të diskutojmë.”, - theksoi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

Kryeparlamentari ndëshkon incidentin e fundit në Kuvend me përfshirjen e deputetit të “Së Majtës”, Apasiev, duke paralajmëruar edhe avancimin e kodit etik. Në përgatitje e sipër është interpelanca e ngritur nga “E Majta” ndaj deputetes Ilire Dauti për mos vënien në rend dite të ligjit për “branitellat” në Komisionin për punë dhe politikë sociale, të cilin drejton ajo.

Ndërkohë për të përforcuar komunikimin me qytetarët, Kuvendi po hap 7 zyra në komuna të ndryshme, pasi 25 u hapën deri muajin e kaluar. Takimet me qytetarë do të realizohen të premteve. (Meral Ismaili, TVM2)