Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, në Vlorë mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit

28.11.2024 14:46

Ashtu si 112 vite më parë, në Vlorë...

Ashtu si 112 vite më parë, në Vlorë u ngrit simbolikisht flamuri kuqezi. Në ceremoni morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përfaqësues të opozitës e kremtuan veçmas këtë ditë të madhe për kombin shqiptar. Më entuziastë në këtë ditë ishin qytetarët.

Festime pati edhe në qytete të tjera, por ato kulmuan në Tiranë, ku u mbajt një paradë madhështore me 300 ansamble me rreth 10 mijë përfaqësues nga mbarë trevat shqiptare. Një organizim i jashtëzakonshëm, ku nuk munguan as simbolikat me qytetarë të veshur si Skënderbeu apo Ismail Qemali. 

Pjesë e paradës ishin edhe grupe nga Maqedonia e Veriut, si Shkupi, Tetova e Gostivari, si dhe shumë të tjera nga Kosova dhe të gjitha trevat ku ka shqiptarë. Për të marrë pjesë në festimet në Shqipëri, një numër i madh qytetarësh hyn nga Kosova drejt pikës kufitare të Morinit.

112-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë e uruan edhe sekretari amerikan i shtetit, Blinken, ambasada amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian. Sali Berisha, edhe pse i lirë që prej ditës së djeshme, zgjodhi të urojë përmes një videoje, ndërsa Ilir Meta nga burgu. (Luljeta Ndoka, TVM2)