28 Nëntori, liderët e partive politike urojnë festën
Festën e 28 Nëntorit e kanë uruar liderët shqiptarë të pozitës dhe opozitës...

Festën e 28 Nëntorit e kanë uruar liderët shqiptarë të pozitës dhe opozitës. Zëvendëskryeministri i parë, njëherit kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, tha se kjo ditë është festë përkujtimi e nderimi për burrat e gratë që shkruan historinë e kombit tonë.
“Uroj që kjo festë të shërbejë si burim frymëzimi për ruajtjen e vlerave tona dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. Rroftë populli shqiptar dhe fryma e bashkimit që kjo ditë simbolizon!”.
Me urime për 28 Nëntorin, edhe liderët tjerë të VLEN-it. Kreu i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, shfrytëzoi rrjetet sociale për të uruar festën e Flamurit. “Festat janë edhe më të bukura kur qytetarët gëzojnë infrastrukturë më të mirë rrugore!”, ka shkruar Kasami.
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, duke uruar këtë festë, thotë se është ditë reflektimi për çdo shqiptar.
“Ne shqiptarët, si komb, jemi më afër se kurdoherë me Bashkimin Evropian, ndërsa në vendin tonë janë pikërisht shqiptarët që janë flamuj të këtij integrimi.”, - deklaroi kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.
Ndërsa kryetari i ASh-së, pjesë e VLEN-it Arben Taravari, në urimin e tij tha: “Historia e rëndë na ka bërë ne shqiptarëve që ndonjëherë të shtyjmë e shajmë njëri-tjetrin dhe aty armiqtë tanë janë kënaqur, por nëse ka një gjë që na ka bashkuar dhe bashkon të gjithëve si me magji, padyshim që ky është Flamuri Shqiptar!”.
Këtë ditë e kanë uruar edhe liderët e partive opozitare. Në 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar shqiptarët duke thënë se kjo ditë përkujton që përpjekjet për liri, barazi, pavarësi, flamur, gjuhë janë të përditshme dhe angazhimet nuk duhet t’i ndalim asnjëherë.
“Ky përvjetor i 112-të i ditëve më të shenjta të kombit tonë shqiptar na përkujton që përpjekjet për liri, barazi, pavarësi, flamur, gjuhë janë të përditshme dhe angazhimet tona nuk duhet t’i ndalim asnjëherë, për arsye se liria nuk është një destinacion, por një rrugëtim i përhershëm dhe i pandalshëm.”, tha Ahmeti.
E lideri i Aleancës për Shqiptarët të “Frontit Evropian”, Ziadin Sela, tha se sot të gjithë festojmë me të njëjtën ndjenjë krenarie, pavarësisht se të ndarë në shumë shtete e të shpërndarë në tërë globin.
“Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, kur nga momentet më sfiduese për popullin kanë lindur ngjarjet më të mëdha që ngritën kombin.”, u shpreh Sela.
Edhe kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka uruar festën e Flamurit. “Kjo ditë shënon një moment historik, duke reflektuar sakrificat dhe vendosmërinë që formësuan një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Uroj që fryma e kësaj dite të frymëzojë harmoni dhe sukses për popullin shqiptar anembanë.”, ka shkruar Menduh Thaçi në urimin e tij. (Ersan Pajaziti, TVM2)
