Maqedoni
Pasholli pyet Mickoskin: Çfarë qëndrimi keni për përdorimin e shqipes
28.11.2024 16:03
“Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI, në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend...

“Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI, në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend kërkuan nga kryeministri, Hristian Mickoski, të tregojë se cili është qëndrimi i tij në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe. Deputetja e “Frontit Evropian”, Arbana Pasholli, akuzoi kryeministrin se falë platformës së tij antishqiptare, festa e Flamurit i ka lënë shqiptarët në gjendje të palakmueshme.
Sipas saj, iniciativa në Gjykatën Kushtetuese, konteston gjuhën shqipe në tërësi, e jo vetëm disa nene.
“A e mbani qëndrimin se me këtë iniciativë nuk rrezikohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, gjë që është kategori kushtetuese edhe pse mundemi lirshëm të konstatojmë se shumë nga ministrat e juaj edhe pa abrogimin e këtij ligji nuk e përdorin gjuhën shqipe, edhe pse për këtë janë të obliguar me ligj?”, - u shpreh Arbana Pasholli nga “Fronti Evropian”.
Mickoski: Si opozitar tentoni të krijoni tensione
Mickoski me përgjigje - pyetjet për gjuhën janë tentativë e opozitës për të krijuar tensione në kushtet kur ajo nuk mund të jetojë në llogarinë e shtetit.
“Kur nuk mund të jetoni në kurriz të buxhetit, atëherë kalojmë në retorikë që është militante, retorikë që ka për qëllim të krijojë fraksion dhe tensione etnike, pasi jeni të pafuqishëm, që në mënyrë tjetër të tërhiqni njerëz që do t’u bashkëngjitet, sepse në RMV shqiptarët janë të mençur dhe e dinë se çfarë keni bërë.”, - deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.
Trajçuleski: Me anëtarë partiak doni të kontrolloni përgjimet
Edhe tema e përgjimeve u rikthye në Kuvend. Deputetët e LSDM-së janë të shqetësuar se Qeveria po planifikon sërish përgjime masive, për shkak të partizimit të Këshillit Mbikëqyrës Civil, ndërsa kryeministri i paralajmëroi se së shpejti do të tmerrohen nga metodat e përgjimit që ka praktikuar Qeveria e kaluar.
“Të gjithë anëtarët në Këshillin Mbikëqyrës Civil janë degë partiake të koalicionit qeverisës, ish-deputetë apo aktivistë të shquar partiakë. Ju po zgjidhni një komitet komunal, jo një organ qytetar. Kjo tregon se ju ose planifikoni të përgjoni sërish si në kohën e regjimit ose keni filluar të dyshoni në besimin e qytetarëve dhe për këtë arsye nuk rrezikoni me zgjidhje autentike civile, por luani mirë me emërimet partiake “hard core”.”, - theksoi Mitko Trajçuleski nga LSDM.
Mickoski: Së shpejti do të tmerroheni nga përgjimet
“Së shpejti do ta shihni të pavërtetën për ata që thonin se e flasin të vërtetën për Maqedoninë dhe do të turpëroheni. Për shkak se në regjimin fashist nuk janë ndjekur dhe përgjuar në atë formë udhëheqësitë e partive opozitare. Dhe jam i bindur se një pjesë e udhëheqësisë së LSDM-së nuk e kanë ditur se çfarë po ndodh, se pjesa më e madhe prej tyre e kanë bërë për keqpërdorim dhe agjendë personale. Jo se dikush nga udhëheqësia më e lartë nuk e ka ditur. Dhe ajo që ka ndodhur do t’ju tmerroj edhe juve.”, - deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.
Sa i përket emërimeve nëpër institucione, kryeministri Mickoski kujtoi se para se të ndryshohej ligji në Kuvend, me të cilin u shfuqizuan dy komisionet e shkallës së dytë për procedurat administrative dhe mbikëqyrjen inspektuese, pozita e kryetarit të atij komisioni ishte mbajtur nga kryetarja e organizatës komunale të LSDM-së në Veles.
SANIJE DURAKU
