Maqedoni
UShT, promovim i librit “Krahët e Shpendit’’
30.04.2015 17:51
Në amfiteatrin e UShT-së u promovua libri "Krahët e Shpendit", i cili i është përkushtuar dëshmorit të kombit, Skerdilajd Llagamit, i njohur si “Komandant Shpendi”...

Skerdilajd Llagami, i rënë dëshmor në fshatin Bogovinë të Tetovës, në luftën e vitit 2001, ishte luftëtar dhe komandant i tri luftërave për çlirimin e trojeve shqiptare.
Autori i kësaj vepër është babai i "Komandant Shpendit", Bardhyl Llagami.
“Duke lexuar librin “Krahët e Shpendit”, frymëzimi të vjen lehtësisht krejt natyrshëm, duke krijuar mundësinë për gjetjen e çelës-leximit, i cili ndihmon ndjeshëm për t’u çliruar në brendinë dhe dimensionet dalluese të tij, sa letrare po aq edhe historike. Andaj, për një lehtësi të kësisojshme jam borxhli për të shprehur mirënjohjen e pafund shkruesit të këtij libri, babait të Shpendit”- deklaroi vlerësuesi i veprës, mr.Ilir Memeti.
“Një komb po lartësohet në kulm të qytetërimit, nëpërmjet shpirtit krijues dhe shpirtit të sakrificës, lartësohet nëpërmjet njerëzve të mendimit dhe njerëzve të veprimit, lartësohet kur idetë sublime i bën veprime. Kjo është formula e trishtë në dukje, por e paevitueshme për sa kohë kjo botë është e egër dhe njerëzit nuk janë të përsosur”- tha vlerësuesi i veprës, doc. dr. Salajdin Salihu.
“Në shtëpi kam lënë të gatshëm botimin e dhjetë. Ai është pak më i shëndoshë se ky. Ai është 700 faqe. Nuk është çështje kontuktative, por është një lumë, ngjarje të jashtëzakonshme që rrodhën dhe na ngacmojnë”- theksoi babai i dëshmorit të kombit, Bardhyl Llagami.
Të pranishëm në promovimin e librit ishin shumë studentë, ligjërues të UShT-së, mysafirë nga Republika e Shqipërisë, shokë të luftës, nënkryetari i Kuvendit të RM-së, Rafiz Aliti, si dhe kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
VISAR SADIKI
