Maqedoni
Shkupi feston 28 Nëntorin, shkollat festojnë me aktivitete të ndryshme
28.11.2024 16:19
Atmosfera festive me rastin e 28 Nëntorit ndjehet edhe në Shkup...

Në shkollat shqipe atmosferës festive i kontribuojnë edhe nxënësit e veshur me ngjyrat kombëtare, si dhe nuk mungojnë edhe programet që i kushtohen flamurit kombëtar dhe pavarësisë së shtetit shqiptar.
Nxënësit e shkollës fillore “Ismail Qemali” ndjehen të lumtur për Ditën e Flamurit me valle dhe recitime të ndryshme.
“Unë jam Rron Metaj dhe sot është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe flamuri u ngrit në Vlorë në vitin 1912. Në këtë ditë unë me klasën kemi përgatitur një shfaqje.”, - tha një nxënës.
“Sot është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në këtë ditë u ngrit flamuri në Vlorë në vitin 1912. Ne me klasën tonë kemi përgatitur një vallëzim në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë.”, - tha një nxënës tjetër.
Drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali”, Teuta Imeri, me rastin e 28 Nëntorit i ndau mirënjohje zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhitit, për kontributin e dhënë.
“Është një emocion shumë i madh për mua sot, ngaqë z. kryeministri i parë ka qenë njeriu i parë që para shumë vitesh mori iniciativën që kësaj shkolle t’i vihet ky emër, Ismail Qemali. Luftoi deri në fund me çdo dokumentacion bashkë me stafin e arsimtarëve dhe ish-drejtorët që këto katër vite që ne zyrtarisht ta festojmë e ta gëzojmë si në dokumentacion ashtu edhe të valëvitet fytyra e Ismail Qemalit këtu në lagjen tonë.”, - deklaroi drejtoresha në Sh.F. “Ismail Qemali”, Teuta Imeri.
“Sot jemi në këtë shkollë që mban këtë emër të madh dhe na e rikujton historinë por të njëjtën kohë dhe na prek në ndërgjegje tonë se nëse atëherë në ato kohëra të rënda ka qenë pushka e diplomacia, sot ne mendojmë që me qeverisje të mirë ta vazhdojmë atë punën patriotike të Ismail Qemalit, Skënderbeut, Adem Jasharit e të figurave të mëdha dhe po mundohemi ta bëjmë edhe me emërtimin e kësaj shkolle, por edhe që po e shndërrojmë këtë lagje, këtë komunë, ashtu siç i ka hije.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Edhe nxënësit e shkollës fillore “Adem Jashari” kanë festuar 28 Nëntorin me aktivitete të ndryshme.
“Është Dita e Flamurit - 28 Nëntori. Kam përgatitur valle edhe në korr kemi kënduar.”, - tha një nxënës.
“Urime Dita e Flamurit. Në Vlorë, më 1912.”, - tha një nxënës tjetër.
“Dita e Flamurit, kam përgatitur valle.”, - u shpreh një nxënës.
“Kam përgatitur valle dhe korr në muzikë.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
Drejtoresha e Sh.F. “Adem Jashari”, Fitore Qirezi, thotë se gjithmonë festën e 28 Nëntorit e festojnë në mënyrë sa më madhështore.
“Edhe shkolla jonë kemi traditë këtë festë madhështore ta festojmë në mënyrë sa më të begatshme. Gjithmonë janë të përgatitur nxënësit dhe përkrahjen e kemi gjithmonë edhe te prindërit, kemi staf të përgatitur dhe ka një potencial dhe vullnet të mirë që gjithmonë me përgatitjet artistike ta bëjmë sa më madhështore këtë festë, sepse ashtu e kemi borxh dhe e kemi borxh t’ua transmetojmë nxënësve tonë se është festë që do të kujtohet një histori e lavdishme.”, - deklaroi drejtoresha e Sh.F. “Adem Jashari”, Fitore Qirezi.
Përveç Shkupit, Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë e festojnë anekënd botës ku ka shqiptarë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
