Maqedoni
Republika e Kosovës, aktivitete të shumta festive për 28 Nëntor
28.11.2024 17:00
Kosova u zgjua sot në atmosferë festive, e veshur me ngjyrat kuqezi të flamurit kombëtar...

Kosova u zgjua sot në atmosferë festive, e veshur me ngjyrat kuqezi të flamurit kombëtar, për të festuar festën e flamurit dhe pavarësisë së shtetit shqiptar, por edhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe daljen në skenë të UÇK-së.
KryetarI i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kanë bërë homazhe te shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë.
Duke përcjellë urime për të gjithë shqiptarët, Konjufca deklaroi se Ismail Qemali shpalli pavarësinë e gjithë kombit shqiptar, prandaj në aktin e shpalljes së pavarësisë ishte i pranishëm edhe Isa Boletini.
“Prej Isa Boletinit erdhëm tek Ismail Qemali. Është shumë me rëndësi që e kemi në kryeqytetin tonë shtatoren e Ismail Qemalit, ai që në emër të gjithë shqiptarëve e shpalli pavarësinë e kombit tonë. Në këtë mënyrë e ka shpallë edhe pavarësinë e Kosovës, sepse atëherë nuk e kishim këto ndarje që i kemi sot. Ai e shpalli pavarësinë e gjithë kombit shqiptar, prandaj aty nuk mund të mos ishte edhe Isa Boletini me gjithë ata luftëtarë, të cilët e filluan kryengritjen në Kosovë dhe e cila kulmoi me shpalljen e Pavarësisë në Shqipëri.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar shqiptarët me rastin e festës së 28 Nëntorit.
“Më 28 nëntor nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona. 28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë. 28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!”, thekson presidentja Osmani në urimin e saj.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpartiakët e tij ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai me këtë rast ka thënë se 28 Nëntori është datë që bashkon dhe frymëzon shqiptarët ndër shekuj. Urime për festën e 28 Nëntorit kanë përcjellë edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërkohë Agjencia e Statistikave ka bërë të ditur se 3 mijë e 800 qytetarë të Kosovës e mbajnë emrin Ismail, që ndërlidhet me figurën e Ismail Qemalit, i cili 112 vite më parë ngriti flamurin e Pavarësisë së Shqipërisë.
GYLTENE SINANI
