Maqedoni
Komuna e Zhelinës, problem institucional me tokën ndërtimore
30.04.2015 18:10
Toka ndërtimore me të cilën menaxhon për dy vite me radhë Komuna e Zhelinës dhe është në pronësi shtetërore...

Toka ndërtimore me të cilën menaxhon për dy vite me radhë Komuna e Zhelinës dhe është në pronësi shtetërore, ka shkaktuar problem institucional të komunës me Inspektoratin e Pyjeve në Tetovë.
Megjithëse Komuna e Zhelinës posedon leje për menaxhimin e tokës ndërtimore në Zonën Industriale të Zhelinës, për të cilën është miratuar edhe plani urbanistik, sot pjesëtarët e Policisë së Grupçinit dhe inspektorët e Sektorit të Pyjeve ndaluan kryerjen e punimeve në këtë zonë, me arsyetimin se Komuna e Zhelinës nuk ka paguar shumën e paraparë me nenit 15 të Ligjit të Pyjeve për ridestinimin e tokës.
Kjo, thonë autoritet komunale, nuk është kërkuar në atë kohë kur është marrë leja.
“Ndërmarrja e Pyjeve të Maqedonisë menaxhon me tokën e destinuar, neni 14, pika 3, deri në fillimin e realizimit të aktiviteteve. Ne me datën 25.12.2014 informuam disa herë NP e Pyjeve se do fillojmë me realizimit të planit urbanistik, pasi që atë e kemi dhe obligim ligjor, hapjen e rrugëve dhe rregullimin e infrastrukturës. Përgjigja ishte se komuna nuk ka të paguar dhe të ruajtur nenin 15, pika 1 dhe 2, dhe është dashur që të paguajnë për tokën në fjalë Pyjet e Maqedonisë një shumë të caktuar, edhe pse lëshimi nuk është i yni, por i ministrisë, pasi që ajo nga ne nuk është kërkuar”- deklaroi kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.
Me këtë problem po përballet edhe njeri nga pronarët e një parcele në këtë zonë. Remzi Hajrullai thotë se posedon fletëpronësi dhe dokumentacionin e nevojshëm, por i është ndaluar të vazhdojë punimet në pronën e tij.
“Më thanë mua të mos punoj më këtu. Unë i thashë atyre se i kam të gjitha dokumentet e nevojshme për pronën e blerë, në qoftë se dikush ka diçka le të urdhërojë në gjyq, e jo të ma ndalojnë punën. Ma ndaluan punën, a unë paguaj nga 100 euro kamionët që punonin aty”- theksoi afaristi, Remzi Hajrullai.
Komuna e Zhelinës është e gatshme të gjejë zgjidhje për këtë çështje, për këtë problem me ministrin e Bujqësisë, e jo me Pyjet e Maqedonisë, me kusht që të mos i pengojnë me realizimin e planit urbanistik.
Vendi, i cili është bërë problem institucional, shtrihet në hapësirë prej rreth 50 hektarësh. Përveç kësaj, përfaqësuesit e Sektorit të Pyjeve në Tetovë gati 3 ditë me radhë i konfiskojnë drunjtë të prerë, të paraparë për zgjerimin e rrugës së investitorëve në këtë zonë, pa asnjë paralajmërim në komunë.
Komuna e Zhelinës e ka denoncuar rastin në fjalë dhe do të kërkojë përgjegjësi se ku dhe në të cilin drejtim kanë shkuar drunjtë që janë në Komunën e Zhelinës.
“Në bazë të informatave, një pjesë e drunjve janë të shitura në një depo në Grupçinë. Parashtrohet pyetja dhe kërkoj nga autoritet të tregojnë se në çfarë forme na i marrin drunjtë dhe pse jemi ne të painformuar në këtë rast. Dhe gjithashtu do të kërkojmë të tregojnë se kush dhe si janë shitur drunjtë që janë nën kompetencat e Komunës së Zhelinës”- theksoi kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.
Për momentin Komuna e Zhelinës në këtë tokë investon në përmirësimin e infrastrukturës për investitorët e ardhshëm në këtë komunë.
Ekipi i TVM-2 bëri përpjekje të marrë përgjigje nga përfaqësuesit e Sektorit të Pyjeve në Tetovë, por ata nuk deshën të prononcohet rreth kësaj çështje.
REXHEP QAMILI
