Djegia e flamurit, Toshkovski: 8 të arrestuar për incidentet më 28 Nëntor
Tetë persona janë arrestuar...

Tetë persona janë arrestuar për shkak të incidenteve të shkaktuara gjatë festës së 28 Nëntorit në Shkup. Siç bëri të ditur ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, katër nga të arrestuarit kanë marrë pjesë në rrahje, ndërsa katër të tjerët për shkak të djegies së flamurit maqedonas dhe rrezikojnë të dënohen me të paktën një vit burg.
“Natën e kaluar janë arrestuar 8 persona nga ana e policisë maqedonase. Katër nga ata persona janë arrestuar pasi kanë shkaktuar vepër penale pjesëmarrje në rrahje, të njëjtit janë arrestuar dhe ndaj tyre do të merren masa adekuate në përputhje me ligjin. Katër persona të tjerë janë arrestuar për shkak se për ata kemi dyshime të bazuara se kanë kryer vepër penale nga neni 319 i kodit penal, që ka të bëjë me shkaktimin e urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare, përçarje dhe mosdurim, ku është paraparë dënim minimal prej një viti burg. Për këto persona do të parashtrohen padi adekuate penale. Njëri prej tyre është i moshës së mitur, ndërsa tre janë të moshës madhore. Për fat të keq më duhet të konstatoj se bëhet fjalë për të rinj të moshës 18, 19, 20, 21 vjeç. Mendoj se është më i rrituri. Për të njëjtit me kërkesë të prokurorit publik mbrëmë deri vonë është punuar dhe do të nxirren para drejtësisë, përkatësisht para gjykatësit.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ministri Toshkovski sqaroi se njëri nga të arrestuarit është kapur në flagrancë se si përpiqet të djegë flamurin maqedonas, një tjetër është kapur si e heq flamurin, ndërsa një tjetër u zbulua nga videot e publikuara në rrjetet sociale, derisa po shqyente flamurin para një veture të kuqe.
Ai njëherit theksoi se policia ka kapacitet të përgjigjet dhe do të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj të gjitha sfidave.
“Veprime të këtilla nga ana e grupeve të caktuara, sidomos në Shkup, janë të patolerueshme, janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit maqedonas dhe për shkak të kësaj policia, MPB-ja, byroja e sigurisë publike, SPB-Shkup, u përgjigj maksimalisht shpejt dhe me vendosmëri ndaj të gjitha veprave penalo juridike dhe shkeljeve që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Toshkovski: Do t’u përgjigjemi ashpër skenarëve, destabilizues
Nuk do të tolerojmë veprime të këtilla që t’i tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, tha Toshkovski, duke shtuar se ndodhi ajo për të cilën është paralajmëruar se ka përpjekje të cilat do të nxisin mosdurim ndëretnik në Maqedoni.
Ai njëherit dërgoi porosi deri të gjithë ata që kanë në kokë të shkaktojnë çfarëdo skenari për destabilizimin e Maqedonisë, se policia do të përgjigjet ashpër dhe pamëshirshëm në çfarëdo përpjekjesh. Toshkovski nuk komentoi djegien e flamurit shqiptar që u publikua në rrjetet sociale, ku dëgjohen edhe brohoritje antishqiptare.
Prokuroria, hetime për djegien e flamurit shtetëror
Ndërkohë nga Prokuroria njoftojnë se kanë nisur hetimet për ngjarjet e mbrëmshme lidhur me djegien e flamurit shtetëror.
“Është njoftuar prokurori publik, po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes.”, njofton Prokuroria Publike. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
