Maqedoni

BFI shkarkon myftiun e Shkupit, Ibrahim Shabanin

30.04.2015 18:31

Riaseti i Bashkësisë Fetare Islame ka mbajtur mbledhje, në të cilën ka shkarkuar myftiun e Shkupit, Ibrahim Shabanin, sekretarin e myftinisë, Skender Buzukun...

Riaseti i Bashkësisë Fetare Islame ka mbajtur mbledhje, në të cilën ka shkarkuar myftiun e Shkupit, Ibrahim Shabanin, sekretarin e myftinisë, Skender Buzukun dhe sekretarin e përgjithshëm të BFI-së, Afrim Tahirin.
 
Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, në bazë të nenit 43 të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame, ia tërheq muraselen myftiut të Shkupit, Ibrahim ef. Shabanit, dhe i njëjti transferohet me detyrë të re, profesor në Medresenë “Isa Beu”-Shkup. Po ashtu ky vendim përkrahet në mënyrë unanime nga Rijaseti i BFI-së dhe i njëjti hyn në fuqi që nga dita e sotme. 
 
Në bazë të nenit 30 të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame, Organi i Myftinisë së Shkupit obligohet që në afat prej 30 ditësh, duke filluar nga dita e sotme, të propozojë kandidat të mundshëm për myfti të ri të Myftinisë së Shkupit.
 
Po ashtu në bazë të nenit 43 të Kushtetutës së BFI-së, Afrim Tahiri shkarkohet nga detyra sekretar i Përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame dhe i njëjti transferohet në vendin e tij të mëparshëm të punës, sekretar i Shoqatës “Ilmije”.
 
Po ashtu sekretari i Myftinisë së Shkupit, Skender Buzaku, shkarkohet nga detyra sekretar i Myftinisë së Shkupit dhe i njëjti transferohet si edukator në Medresenë “Isa Beu”, thuhet në njoftimin e BFI-së.