Partitë politike, reagime për incidentet me flamujt

29.11.2024 15:19

Mënyra se si u festua në Shkup festa e flamurit shqiptar...

Mënyra se si u festua në Shkup festa e flamurit shqiptar, ka ngjallur reagime të shumta. Kryeministri, Hristian Mickoski, dënoi ashpër djegien e flamurit shtetëror. Por, ai tha se ky akt është bërë nga një grup i vogël që dëshiron të shkaktojë tensione etnike, ndërsa shtoi se ashpër do t’i përgjigjen çdo tentative për destabilizim.

“Unë apeloj që të mos lejojmë që këto incidente të shkaktojnë ndjenja negative, sepse është një grup i vogël i izoluar që manipulohet nga ata që mbrojnë milionat e tyre. Ndërsa ata që janë viktima të këtyre që janë kriminelë politikë, dua t’i paralajmëroj se nuk do të ketë mëshirë ndaj askujt. Të gjithë ata që do të shkelin ligjin dhe Kushtetutën, do të përgjigjen.”, - deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.

Nga koalicioni VLEN dënojnë “ashpër këto akte ku janë përdhosur flamujt shtetërorë në mënyrë të turpshme. “Pas një dite festive si asnjëherë më parë më 28 Nëntor, teksa jehonte kënga e vallja shqipe gjithandej vendit, mesa duket kjo atmosferë festive nuk u shkoi përshtati atyre që u prish rahatia nga karriget e pushtetit. Në fund të ditës u lajmëruan këto qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit. Jo, se e duan shtetin, por se u mungon pushteti. Bëjmë thirrje për maturi dhe respekt të ndërsjellë, sepse ndezja e një flamuri është ndezje e marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet.”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë BDI-në se së bashku me LSDM-në organizojnë skenarë për konflikte etnike dhe nxisin grupet që të sjellin përçarje.

“A mendojnë vërtet BDI-ja dhe LSD-ja se duke shkelur flamurin maqedonas, duke pushkatuar dhe bllokuar qytetet, do të vijnë në pushtet? Pse janë kaq të frikësuar? Kështu mendojnë se do të shpëtojnë nga përballja me drejtësinë? BDI-ja dhe LSD-ja, për shkak se janë të pafuqishëm dhe nuk kanë përkrahje për protesta, a vendosën t'i imponohen opinionit në këtë mënyrë, përmes provokimeve etnike?”, - u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Nga BDI-ja dënojnë djegien e flamurit si akt, që sipas tyre, ka qenë rezultat i ndërhyrjes së policisë. Por, dënojnë ashpër edhe ndërhyrjen e policisë gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar.

“Pik së pari është gabim nga ana e MPB-së që u ndalohet qytetarëve që të festojnë në sheshe, në atë të Shkupit dhe kishim raste edhe me sheshin e Kumanovës. Si refleksion i veprimeve të tilla, qytetarë të ndryshëm me akte individuale kanë bërë gabime, sa i përket flamurit të shtetit, por jo vetëm, si hakmarrje ka ndodhur edhe akti ndaj flamurit kombëtar të shqiptarëve.”, - theksoi Kreshnik Bekteshi nga BDI.

Kanë reaguar edhe nga ASh-ja e Ziadin Selës, duke dënuar djegien e flamurit shqiptar dhe përdhosjen e flamurit shtetëror.

“Të gjithë flamujt e popujve të botës meritojnë respekt. E dënojmë ashpër përdhosjen e flamurit shtetëror dhe djegien e flamurit shqiptar, pasi gjeste të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat qytetare. Kryerësit e këtyre veprave të shëmtuara nuk i kanë bërë nder as flamurit, as kombit të tyre. Atmosfera festive dhe pozitive në çdo cep të vendit nuk duhet dhe nuk mund të zbehet nga akte të tilla të izoluara. Çdo formë dhune është e papranueshme në vendin tonë dhe duhet të dënohet pa kompromis nga të gjitha palët.”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës.

Sipas socialdemokratëve, ngjarje të tilla kërcënojnë drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike dhe dinjitetin e maqedonasve. Partia kritikoi gjithashtu Qeverinë, duke pyetur se pse policia nuk ndërhyri "shpejt dhe me vendosmëri".

“Ku ishin kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri Pançe Toshkovski dje në mbrëmje, për të dërguar mesazhe shtetërore për qetësimin e situatës? Në vend të kësaj, heshtja e tyre vetëm sa thelloi tensionet dhe krijoi një ndjenjë se institucionet ishin të paralizuara. Në vend të lidershipit dhe përgjegjësisë, jemi dëshmitarë të mungesës së reagimit të VMRO-DPMNE-së, e cila e ka neglizhuar tërësisht detyrën e saj ndaj qytetarëve.”, - deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.                                        

Në reagimin e ASh-së, krahu i Selës, thuhet se dënojnë ashpër përdhosjen e flamurit shtetëror dhe djegien e flamurit shqiptar, pasi gjeste të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat qytetare. Reagime dhe dënime kanë dërguar edhe partitë e tjera opozitare, si LDP-ja dhe “E Majta”. (Sanije Duraku, TVM2)