Siljanovska Davkova në Mal të Zi, BE-së i duhet një reformë e thellë

29.11.2024 15:48

Vendet e rajonit u ballafaquan me një rrugë të mundimshme drejt BE-së...

Vendet e rajonit u ballafaquan me një rrugë të mundimshme drejt BE-së, vlerëson presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, e cila fajin për këtë e sheh te mospasja e strategjisë së Bashkimit Evropian. Këtë qëndrim presidentja e vendit e paraqiti para studentëve të drejtësisë në Podgoricë të Malit të Zi, ku po qëndron për vizitë zyrtare.

“Nuk mendoj se disa shtete anëtare të BE-së na kanë kaluar dhe prandaj duhet gjykuar sipas kritereve të Kopenhagës dhe BE-së i duhet një reformë e thellë. Është shumë e rëndësishme që ne të ndjekim standardet në këto procese, sepse ato do të na çojnë drejt një zgjidhjeje.”, - deklaroi presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova.

Gjatë leksionit të saj, presidentja foli për standardet që duhet të plotësojnë punonjësit e administratës shtetërore për të qenë efektive.

“Nëse keni hyrë me librezë partiake në administratë nuk do të jeni lojal ndaj Kushtetutës dhe ligjeve, por ndaj atyre që ju kanë punësuar. Unë nuk i di numrat saktë për Malin e Zi, por numrat e Maqedonisë janë katastrofal, kemi eksod të paparë, po ikin më të mençurit, për shkak se i kërkojnë vendet perëndimore, kurse te ne presin në derë për t’u punësuar.”, - theksoi presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

Presidentja e vendit, Siljanovska Davkova, gjatë qëndrimit në Mal të Zi kishte takime dhe me kryeministrin malazez, Millojko Spaj, ku është diskutuar për përparimin e bashkëpunimit ekonomik dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy qeverive me mbajtjen e një seance të përbashkët së të dy qeverive. (Ersan Pajaziti, TVM2)