Maqedoni
Propozim-buxheti 2025, shumica refuzon amendamentet e opozitës
29.11.2024 16:05
Kërkesat e opozitës shqiptare dhe deputetit të Lëvizjes së turqve për zhvillim infrastrukturor...

Kërkesat e opozitës shqiptare dhe deputetit të Lëvizjes së turqve për zhvillim infrastrukturor të Strugës dhe fshatrave përreth u refuzuan nga shumica në Komisionin për financa dhe buxhet. Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, tha se ndërtimi i rrugëve, rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimeve janë në kompetencë të komunave.
“Edhe banorët e Labunishtës meritojnë të kenë jetë më të mirë, posaçërisht të drejtën e ujit, andaj kërkoj mbështetjen tuaj pasi bëhet fjalë për interes vital për banorët e Labunishtës.”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes së turqve, Sali Murati.
“Ky aktivitet është në kompetencë të komunës, e cila mund të aplikojë me projekt të sajin në kuadër të mjeteve të siguruara për projekte infrastrukturore për komunat.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
U refuzuan edhe amendamentet e LSDM-së, midis tjerash furnizimi me ujë të vendbanimeve në komunën e Sopishtes nga Patishka Reka në vlerë prej 90 milionë denarë.
“Me këtë projekt-kapital do të zgjidhet problemi historik me furnizimin me ujë të të gjithë banorëve të këtij territori, si dhe do të mundësohet nisja e realizimit të Qytetit të Diellit, investim ky i paralajmëruar disa vite me radhë.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
“Është dyfytyrësi që pas shtatë vitesh bëni një propozim të tillë, pikërisht tani. Mund të jetë qesharake apo për t’u habitur, megjithatë ju e keni bllokuar këtë projekt gjatë shtatë viteve të fundit.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Jane Micevski.
Sot është dita e fundit e debatit të amendamenteve në komisionin amë. Opozita pati dorëzuar 204 amendamente për buxhetin e rëndë 6.5 miliardë euro. Ditëve në vijim, projekt-buxheti do të kalojë në seancë plenare për votim.
MERAL ISMAILI
