Maqedoni

Transportuesit privatë, marrëveshje që të paguhen 100 denarë për kilometër

29.11.2024 16:27

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në koordinim me transportuesit privatë...

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në koordinim me transportuesit privatë, ofruan zgjidhje për rritjen e çmimit për kilometër, që ata të kthehen në punë pas bojkotit të filluar që nga fundi i shtatorit. Çmimi i dakorduar është rritje nga 70 në 100 denarë për kilometër të kaluar.
 
“Sollëm vendim që të propozojmë si grup i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit rritje të çmimit për kilometër të kaluar nga 70 në 100 denarë për transportuesit privatë. Kjo do të ishte zgjidhje e shpejtë deri në muajin maj deri kur do të zgjatë pjesa e parë e marrëveshjes.”, - deklaroi këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Martin Stojanovski.
 
Ky propozim u mbështet edhe nga këshilltarët e BDI-së në qytetin e Shkupit. 
 
“Një problematikë që nuk është një javë apo dy, por më tepër se katër muaj i kemi këto probleme në lidhje me transportin. Ne sot ose do t’i përkrahim plotësisht dhe t’i realizojmë kërkesat e vozitësve se sot e mbajmë mbledhjen ditën e hënë. Nëse nuk i përmbahemi, nuk do të kemi transport.”, - theksoi këshilltarja e BDI-së, Halide Palloshi. 
 
Pas kësaj marrëveshje dhe miratimit të saj në këshillin e qytetit, transportuesit privatë do të kthehen në punë, paralajmëron Jovica Zafirovski. 
 
“Sot presim pas orës 17:00 të gjithë transportuesit që kanë mundësi të kthehen në punë, ndërsa prej të shtunës fillojmë të qarkullojmë normalisht.”, - u shpreh përfaqësuesi i transportuesve privatë, Jovica Zafirovski.
 
Propozimi për rritjen e çmimit për kilometër të kaluar nuk u mbështet nga kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska. Transportuesit privatë po ashtu kërkojnë që t’u paguhet borxhi i mbetur prej rreth 30 milion denarësh.
 
Aktualisht autobusët e ndërmarrjes publike transportuese në Shkup qarkullojnë me naftën e siguruar nga Qeveria rezervat shtetërore, ndërsa procedura e tenderimit për furnizim me naftë do të zgjasë deri javën e ardhshme.
 
Por, derisa zgjat procedura e tenderimit nga Ndërmarrja Publike Transportuese në Shkup bëjnë të ditur se u është bllokuar xhirollogaria. Prej atje thonë se xhirollogaria u është bllokuar pikërisht për shkak të borxhit ndaj furnizuesit me naftë. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI