Botë

Demonstrata masive në rrugët e Gjeorgjisë, tërhiqet oferta për anëtarësim në BE

29.11.2024 18:08

Demonstrata masive në rrugët e Gjeorgjisë...

Policia u përlesh me protestuesit dhe përdori topa uji për të shpërndarë turmën.
 
Mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin Tbilisi, pasi kryeministri Irakli Kobakhidze njoftoi se po pezullonte negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028, pas vendimit të Parlamentit Evropian për të mos njohur rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat u fituan nga një parti pro-ruse, “Ëndrra Gjeorgjiane”. 
 
“Fatkeqësisht, në përgjigje të kësaj rezolute të BE-së, “Ëndrra Gjeorgjiane” ka vendosur të njoftojë se negociatat e anëtarësimit me BE-në do të pezullohen. Përveç kësaj, ata nuk do të marrin asnjë financim nga BE-ja, që do të thotë se ata do të bllokojnë qindra miliona për shoqërinë civile gjeorgjiane. Ata do të ngufasin median dhe shprehjen e lirisë në këtë vend. Nga këtu është iniciuar edhe  reagimi i publikut.”, - deklaroi kryetarja e koalicionit “Gjeorgjia e Fortë”, Ana Dolidze.  
 
Zgjedhjet e 26 tetorit u panë si një referendum mbi aspiratat e vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Opozita pretendon se votimi u manipulua nën ndikimin e Rusisë, gjë që çoi në një krizë paszgjedhore.
 
“Ata po shkojnë kundër vullnetit të popullit gjeorgjian dhe duan të na tërheqin në BRSS, por kjo nuk do të ndodhë kurrë, sepse populli gjeorgjian nuk do ta lejojë kurrë.”, - tha një studente. 
 
Presidentja pro-evropiane në largim, Salome Zurabishvili, ka akuzuar për  grushtshtet  kushtetues dhe thotë se “Ëndrra Gjeorgjiane” i ka shpallur luftë popullit të saj.
 
“Kjo Qeveri e zhdukur dhe e paligjshme i ka shpallur luftë popullit të saj, të shkuarës dhe të ardhmes së saj. Këtë herë nuk ka shtet gjeorgjian, nuk ka pavarësi dhe asnjë të ardhme përveç Rusisë.”, - theksoi presidentja  e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili.
 
Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që bën thirrje për zgjedhje të reja parlamentare në Gjeorgji dhe sanksione kundër anëtarëve të lartë të partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane”. 
 
FLUTURA LATIFI