Sveçla: Grupet terroriste po sponsorizohen nga Serbia
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla....

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar akt terrorist shpërthimin e sotëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Sveçla ka thënë se ky shpërthim është akti më i madh ndaj infrastrukturës jetike, që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Ai shtoi se është e qartë se këto grupe sponsorizohen nga ushtria dhe policia e Serbisë.
Sveçla ka thënë se shpërthimet e fundit në veri janë bërë me eksplozivë nga rezervat e Serbisë.
“Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë që s’është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë Sveçla duke shtuar se ky është një mesazh për qeverinë e Kosovës dhe partnerët e saj.
Sipas tij, grupet terroriste nuk dëshirojnë që paqja të sundojë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
“Ata po deklarojnë se nuk do të ndalen. Ky shpërthim është akti më i madh ndaj infrastrukturës jetike, që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Është e qartë se këto grupe sponsorizohen nga ushtria dhe policia e Serbisë. Armatimi që është gjetur në rrethinën e Banjskës është dëshmi që është gjetur nga kazermat e Serbisë. Çështja nuk është se a ka armë dhe a do të ketë armë, por si është vullneti i tyre", tha Sveçla.
