Botë

Akt terrorist në Kosovë, dëmtohet rëndë infrastruktura kritike

30.11.2024 13:46

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit...

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. 
 
“Pra një pjesë e Kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim I detonuar. Policia e jonë tashmë është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pishëm është ndërprerë përkohësisht, sipas njoftime nga kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica”. Ky është sulm kriminel dhe terrorist I cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi. Dhe, padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë.”, kryeministër i Kosovës Albin Kurti.
 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për "sulm kriminel dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
 
“Sulmi është kryer nga profesionistë. Është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Sërbia, e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla. Në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë.”, tha Kurti.
 
Raportohet se gjatë ditës është sanuar një pjesë e konsiderueshme e dëmit dhe se tek kanali i Ibër Lepencit janë vendosur 6 tuba në pjesën e dëmtuar nga shpërthimi. 
 
Ndryshe, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese. Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të lënduar.
 
MERALE ISMAILI