Maqedoni
Incidentet me flamujt, Rexhepi: Të nxitura nga policia e papërgjegjshme
30.11.2024 15:05
Për aktet e dhunës ndaj flamujve kombëtar dhe shtetërorë nga individë të caktuar...

Për aktet e dhunës ndaj flamujve kombëtar dhe shtetërorë nga individë të caktuar, Bashkimi Demokratik për Integrim drejton gishtin nga policia. Sipas tyre uniformat blu të papërgjegjshme, kanë nxitur situatat deri në shkatërrim dhe djegie të flamurit shtetëror. Indikacionet që posedojnë integristët flasin se policia ka pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve mbrëmjen e 28 nëntorit, të cilët vetëm se kanë kaluar nëpër rrugë të kryeqytetit për të kremtuar.
“Ne do të dëshmojmë gjithashtu se policia e shtetit jo vetëm që ka pamundësuar kremtimin e qetë të festës kombëtare shqiptare por përkundrazi ka nxitur tensionet, urrejtjet dhe përçarjet duke mos lejuar festimin ashtu siç ka ndodhur gjithmonë dhe duke përdhosur flamurin kombëtar shqiptar nga ana e pjesëtarëve të uniformuar të saj.”, tha Bajram Rexhepi, nënkryetar i BDI-së.
Mexhiti: Masa për të gjithë shkelësit e ligjit
Nga BDI akuzojnë pushtetin për standarde të dyfishta duke ndëshkuar vetëm qytetarë shqiptarë, ndërkaq lidhur me djegien e flamurit shqiptar në Prilep, ditë më pare, nuk ka asnjë reagim. Por zëvendës kryeministri i parë thotë se trajtimi para ligjit do të jetë i barabartë për secilin, i cili ka përdhosur flamurin kombëtarë apo shtetëror. Të rinjtë shqiptarë sipas Mexhitit janë manipuluar nga struktura të BDI-së. Mexhiti fton qytetarët për qetësi.
“Ashtu siç është vepruar ndaj atyre që e kanë shkel flamurin shtetëror, njëjtë pra në Prilep veprohet edhe me ata që e kanë shkel flamurin kombëtar shqiptar dhe po ashtu këtu kemi kërkuar që të ngrihet masë disiplinore dhe të mirren masa për përgjegjësi edhe për policin në Kumanovë, i cili në vend se të mban rendin është futur në diçka, e cila nuk është në kompetencat e tij. Rastësisht apo jo del që disa të rinjtë janë të manipuluar pikërisht nga ato, mirëpo këtë do ta sqarojmë ditëve në vijim me fakte dhe argumente.”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
Për gjithë situatën e krijuar BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit dhe zëvendës ministrit të brendshëm, përndryshe javën tjetër do të ngrenë interpelancë ndaj tyre në Kuvend. Apel për të vëzhguar situatën drejtojnë edhe kah faktori ndërkombëtarë.
MERALE ISMAILI
