Maqedoni

Kushtetuesja në dhjetor vendos për shqipen, Rama: Abrogimi, rrezikon raportet ndëretnike

30.11.2024 15:27

Përderisa pritet që në dhjetor Gjykata Kushtetuese të deklarohet në lidhje me disa nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve...

Përderisa pritet që në dhjetor Gjykata Kushtetuese të deklarohet në lidhje me disa nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, analistët apelojnë që kjo gjykatë të merr vendim në bazë të drejtë dhe të merr parasysh karakterin multi-etnik të shtetit. Profesori universitar Ariton Rama vlerëson se nëse Gjykata Kushtetuese abrogon këto nene, atëherë ka mundësi të cenohen marrëdhëniet ndër-etnike në vend. 
 
“Gjykata Kushtetuese mos të cenojë këtë element, sepse nëse cenohen tri pikat, përkundrazi shtohet elementi i konflikteve ndër-etnike ose cenohet parimi i multietnicitetit, i cili është parimi kryesor i Kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vend. Prandaj këto tri nene nuk parashohin asnjë element negativ në zbatueshmërinë e gjuhëve brenda vendit, por gjithashtu edhe të harmonisë ndëretnike dhe politike në vend.”, u shpreh profesori universitar Ariton Rama.
 
Çështjet si përdorimi i gjuhës shqipe janë çështje që kërkojnë unifikim të faktorit politik shqiptar të pushtetit dhe opozitës, vlerëson Rama. Të gjitha partitë politike në programet e tyre zotërohen për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, ndaj politologu Rama pret që partitë të rreshtohen së bashku për sa i përket kësaj çështjeje. 
 
“Jam dakord që të ketë polaritet politik partiak, të ketë pozitë-opozitë, të ketë ide ndryshe, të ketë perceptime të ndryshme, por në disa segmente politike duhet të bëhen bashkë, aty ku nuk njihen konjukturat partiake, ku nuk njihet konjukturat e interesave individuale apo grupore, gjithmonë është interesi kombëtar. Prandaj unë shoh që këto nuk duhet të shfrytëzohen nga asnjë palë për interesa apo poena politik, por të krijojnë një lloj kompromisi apo një lloj mekanizmi se si të arrihet deri te një strukturë ligjore më e mirë për gjuhën shqipe dhe të mbyllet përfundimisht ky kapitull.”, tha Rama. 
 
Përndryshe nenet e kontestuara të ligjit janë përdorimi i gjuhës shqipe në uniformat e policisë, ushtrisë, përdorimi i shqipes në bankënota dhe në seancat gjyqësore. Nga Akademia e Arteve dhe Shkencës të Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të ketë disa ndryshime, pasi në disa fusha është e nevojshme të flitet një gjuhë e përgjithshme për të mos pasur huti. 
 
ERSAN PAJAZITI