Botë
Reagon Tirana për sulmin në Zubin Potok
30.11.2024 15:57
Tirana zyrtare me zë të unifikuar ka dënuar sulmin në infrastrukturën jetike të Kosovës dhe ka treguar gatishmërinë për të mbështetur institucionet kosovare...

Njëzëri Tirana i ofroi mbështetjen e saj Kosovës në hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve të sulmit terrorist në Zubin Potok.
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, ku dënoi ashpër aktet terroriste që cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës, si siç ishte sulmi me lëndë eksplozive mbi Kanalin e ujit të Ibër-Lepenic në Zubin Potok.
Një krim të rëndë që cenon jetën e qytetarëve të Kosovës e quajti kryeministri Edi Rama, sulmin në Zubin Potok, që sipas tij duhet zbardhur dhe ndëshkuar sa më parë, pasi godet jo vetëm Kosovën, por procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon, ku të gjitha shtetet janë në rrugën e integrimit evropian. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian të heqë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës, dhe të angazhohet për gjetjen e një formati të ri dialogu me saj dhe Serbisë.
“Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Duke e dënuar sulmin si një aktakuzë ndaj Beogradit drejt një konflikti të ri në Ballkan për interesa të Rusisë, Sali Berisha, fajtorin e sheh në Tiranë.
“Edi Rama ka angazhuar SHISH duke emëruar në krye të saj, njeriun e shkarkuar me vendim të kryeministrit të Kosovës e presidentes së Kosovës, si një e dyshuar për bashkëpunëtore me shërbimin serb. I dorëzoi SHISH që të koordinojë së bashku me Beogradin, aktet për rrëzimin e qeverisë së Kosovës.”, u shpreh kreu i PD-së, Sali Berisha.
Ndëshkim për ngjarjen kërkoi edhe Kryeparlamentarja Elisa Spiropali duke e cilësuar një ngjarje që dëmton përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të garantuar siguri, dialog e paqe.
LULJETA NDOKA
