Maqedoni

Incidentet me flamujt, policia arreston 17 persona

30.11.2024 16:10

Policia ka arrestuar 17 persona, në mesin e tyre edhe të mitur që kishin të bëjnë me dëmtimin dhe djegien e flamujve shqiptarë dhe shtetëror...

Policia ka arrestuar 17 persona, në mesin e tyre edhe të mitur që kishin të bëjnë me dëmtimin dhe djegien e flamujve shqiptarë dhe shtetëror. Katër prej tyre janë arrestuar në Shkup për shkeljet ndaj flamurit shtetëror njofton ministri për punë të brendshme Pançe Toshkovski, sipas të cilit procedurat ndaj tyre tanimë janë në duar të prokurorisë.

“Katër të mitur, gjatë ditës së djeshme në Shkup janë privuar nga liria. Dy kishin të bënin me shkelje ligjore që ishte shpërndarë në rrjetet sociale, ku po përdhosej flamuri maqedonas. Ata ndihmojnë personin i cili ka grisur flamurin. Ata janë të mitur dhe ndaj tyre do të vijojë procedurë adekuate sipas ligjit.”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Djegia e flamurit shqiptar në Prilep, Toshkovski: Janë arrestuar tre persona
 
Sa i takon incidentit të djeshëm në Prilep ku një grup i të rinjve shkelën dhe dogjën flamurin kombëtar shqiptar, ministri tha se janë arrestuar tre persona. Toshkovski tha se po veprohet pa kompromis, për të gjitha shkeljet e bëra.
 
“Tre persona gjatë ditës së djeshme janë privuar nga liria në Prilep, të cilët përdhosin flamurin kombëtarë shqiptarë, njëri prej tyre është i mitur, dy janë të rritur. Kishte një video e dërguar në ministrinë tonë, ku flamuri kombëtar shqiptar është shtrirë për tokë, i cili shkelej me veturë, ndërkohë që kishte edhe persona të tjerë që ndihmojnë. Ato tre persona që drejtpërdrejtë janë të përfshirë në ngjarje janë identifikuar, janë arrestuar dhe sipas urdhrit të prokurorit publik do të pasojë kallëzim penal.”, tha Toshkovski.
 
Policia gjithashtu ka arrestuar një të mitur në Kumanovë ndaj të cilit ka kallëzim penal për heqjen e simbolit serb nga konsullata e nderit e këtij shteti në Kumanovë. Në po të njëjtin qytet po ndërmerren masa adekuate edhe ndaj policit i cili hoqi flamurin shqiptar nga shtylla.
 
MERALE ISMAILI