Botë

Ndizet lufta në Siri, luftime të ashpra dhe përleshje në Aleppo

30.11.2024 16:33

Kryengritësit opozitarë dhe aleatët e tyre kanë hyrë në Alepo të Sirisë pasi të mërkurën nisën një ofensivë të befasishme kundër forcave qeveritare siriane...

Lufta në Siri ndizet sërish. Për herë të parë pas tetë viteve, rebelët thonë se kanë arritur të hyjnë në qytetin e dytë më të madh të vendit, Aleppo, dhe të rimarrin rreth 40 për qind të territorit. Përparimi në veriperëndim të vendit pason pas një ofensive të befasishme të mërkurën, kur mijëra luftëtarë rebelë thyen një marrëveshje për de-përshkallëzim dhe pushtuan fshatra dhe qytete, duke u përleshur me forcat qeveritare.
 
“Ne jemi aktualisht në procesin e çlirimit të këtyre zonave ku ishin vendosur milicia iraniane dhe e Asadit.”, tha një luftëtar rebel.
 
“Kam pesë vite që jam i shpërngulur, tani po luftoj për ta nxjerrë vendin tonë nga kontrolli i regjimit kriminal. Ne u bëjmë thirrje të rinjve në shtëpi që të bashkohen me ne në luftën për t'u kthyer në vendin tonë.”, tha Abu Mohamed Talmanas, një luftëtar rebel.
 
Nga ana tjetër, qeveria siriane pretendon se ushtria ka zmbrapsur me sukses sulmin terrorist në Aleppo dhe se tashmë ka rimarrë disa vende. Së bashku me forcat ruse po bombardojnë pozicionet e kundërshtarëve të regjimit.
 
“Kjo është një shkelje e sovranitetit të Sirisë dhe ne po mbrojmë që autoritetet siriane të rivendosin shpejt rendin në këtë rajon.”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.
 
Ambasadori i fundit i SHBA në Siri përpara se SHBA të pezullonte operacionet e ambasadës në fillim të luftës civile thotë se luftimet mund të bëhen më gjerësisht destabilizuese nëse tërheqin Rusinë dhe Turqinë në konfrontim të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën.
 
“Kjo sigurisht nuk do të thotë se qeveria siriane është gati të shembet, por sugjeron se lufta po nxehet dhe do të ndizet nëse Turqia dhe Rusia nuk arrijnë një marrëveshje për një armëpushim të ri.”, tha Robert Ford, ish ambasador i SHBA-së në Siri.
 
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili monitoron luftën civile të pazgjidhur të vendit, sulmi i fundit vrau dhjetëra luftëtarë nga të dyja palët.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI