Sulmi terrorist në veri, janë arrestuar 8 persona si të dyshuar, i dyshuar kryesor Nemanja Radivojeviq
Sveçla ka bërë të ditur se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste....

Ministri i Punëve të Brendshme I Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Sipas tij, janë konfiskuar një arsenal armësh, eksplozivësh e uniformash.
“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit...Qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen dhe të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës së Kosovës.”, ka deklaruar Sveçla.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi, konsideron se i dyshuari për sulmin terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike është Nemanja Radivojeviq - Gandi, dora e djathtë e Millan Radoiçiqit.
