Botë
BE: Sulmi, akt terrorist dhe sabotues
30.11.2024 18:41
Bashkimi Evropian e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës...

Bashkimi Evropian e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.
“BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. Borrell nënvizoi se ngjarja duhet të hetohet, ndërsa autorët e sulmit duhet të vihen para drejtësisë.
Ndërkaq, kryetari i Komitetit për Çështjet e Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka thënë se ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë, nëse dëshmohet se Serbia qëndron vërtet pas këtij akti terrorist.
